OSHEE njofton suksese: Arritëm rezultate rekord, të pashënuara nga CEZ apo OSSH

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (CEZ-i apo OSSH-ja e dikurshme) raporton se ka ulur nivelin e humbjeve në rrjet gjatë muajit Shtator. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga kompania, niveli i humbjeve arrin në vlerën e 31.7%, një përmirësim me 3.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu, OSHEE deklaron shifra pozitive edhe në arkëtime.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për këtë muaj ka një nivel arkëtimi prej 45 miliard lekë të reja ose rreth 41 milionë dollarë. Që do të thotë se kemi rritur me 35.7% nivelin e arkëtimeve për këtë muaj krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa kemi përmirësuar me mbi 20% nivelin e arkëtimeve që prej Dhjetorit 2013 e deri ne Shtator 2014. Këto janë rezultate rekord që nuk janë shënuar prej vitesh në këtë kompani, si gjatë drejtimit cek ashtu edhe gjatë administrimit të mëparshëm shtetëror” thuhet në deklaratë.
E në fund të saj, një sukses tjetër që përmendet është ai i ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme, ku vetëm në një muaj (pra gjatë shtatorit të këtij viti) janë prerë 75.800 lidhje të paligjshme.
n.k
Add new comment