Ora News: 5 kandidatët për kryeministër të Kosovës

1. HASHIM THAÇI OSE “MISIONI RI”
Hashim Thaçi është Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës. Ai ka përfunduar mandatin e dytë në krye të qeverisë në Prishtinë, ndërsa garon në zgjedhjet e kësaj të diele për një mandat të tretë nën siglën “Misioni i ri”. Por kush është Hashim Thaçi?
Hashim H.Thaçi u lind në Burojë të Skënderajt më 24 prill 1968, në kohën kur Kosova ndodhej nën pushtimin serb. Ai u rrit në familje të madhe, në mesin e 5 vëllezërve dhe motrave, ku kuptoi se ishte e nevojshme të dallohej. Mësimet e para i ndoqi në shkollën fillore “Liria” në Turiqevc. Si fëmijë dallohej në rrethin e tij për interesimin që kishte për leximin e librave. Mësimet e mesme pastaj i ndoqi në Tuqevcë dhe Qendrën e Arsimit të Mesëm “Ramiz Sadiku” në Skenderaj. Pas diplomimit Hashim Thaçi filloi të merret në mënyrë aktive me organizimin e lëvizjes studentore për shpalljen e pakënaqësisë me pushtetmbajtësit e asaj kohe. Më pas udhëtoi drejt Zvicrës, nga ku nuk hoqi dorë nga veprimtaria kundër pushtimit serb në Kosovë, si dhe vazhdoi studimet Post-diplomatike në Universitetin e Zyrihut. Atje, Thaçi u anëtarësua në Lëvizjen Popullore të Kosovës, organizatë politike e cila mori vendimin për themelimin e UÇK-së. Në vitin 1997, Hashim Thaçi merr pjesë në një nga aksionet e UÇK-së, përkrah Adem Jasharit, për të cilën dënohet me 10 vjet burg.
Deri më 19 shtator Hashim Thaçi ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas KOnferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Paris, në 1999, Thaçi u zgjodh kryeministër i qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Në vitin 2000, Hashim Thaçi u zgjodh kryetar i PDK-së, Partisë Demokratike të Kosovës, për tu rizgjedhur sërish në 2002 dhe në 2005. Në tri legjislatura të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur deputet. Është lideri politik me numrin më të madh të votave në zgjedhjet parlamentare të viteve 2007 dhe 2010 në Kosovë. Thaçi u zgjodh për herë të parë kryeministër i vendit, pasi fitoi në zgjedhjet parlamnetare të 17 nëntorit të 2007. Me 17 shkurt 2008, Kryeministri Hashim Thaçi lexoi në Kuvendin dokumentin më të rëndësishëm për shtetit më të ri të ballkanit, deklaratën e pavarësisë. Në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në Kosovë më 12 dhjetor 2011 kreu i PDK-së fitoi një mandate të dytë në krye të qeverisë për periudhën 2011-2014. Në 7 vite qeverisje, Hashim Thaçi ka patur arritje dhe dështime. Rritja e pagave për sektorin publik, pavarësisht kushtëzimeve të FMN-së, është cilësuar sukses i qeverisë "Thaçi". Nuk mund të mos cilësohet arritje marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit, IBM, e cila vendosi formalisht një kufi mes dy vendeve. Në 6 vjet si shtet i pavarur, Kosova u njoh nga më shumë se 100 shtete anëtare të OKB-së. Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Vërmicë mund të konsiderohet një tjetër sukses, ndonëse i ka kushtuar qeverisë 4 herë më shumë nga sa ishte parashikuar në buxhet. Fillimi i negociatave për MSA me Bashkimin Evropian, i cili është vetëm një hap drejt BE-së.
Vendosja e vizave për më shumë se 70 vendet anëtare të OKB-së, shumica që nuk e kanë njohur Kosovën, i parë si një hap i duhur për nga parimi i reciprocitetit në mardhëniet me këto vende. Nga disa është vlerësuar si arritje e nga disa dështim, marrëveshja e 19 prillit të 2013-ës në Bruksel me Serbinë. Për kosovarët por edhe për analistët, dështimet e qeverisë Thaçi janë disa ndër të cilat më të rëndësishmet heqja e termit “Republikë” nga emërtimi zyrtar i Kosovës në përfaqësimin e saj ndërkombëtar dhe futja e "fusnotës" e cila e sforcon neutralitetin e statusit të Kosovës dhe provizionet e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit e cila e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë, shitja e disa ndërmarrjeve publike me interes strategjik për Kosovën nëpërmjet privatizimit, dobësimi i sistemit të arsimit si dhe mungesa e një politike ekonomik e cila bazohet në stimulimin dhe zhvillimin e prodhimit vendor, i cili do ta ulte shkallën e lartë të deficit tregtar, dhe si rrjedhojë do ta riste punësimin dhe investimet, e me to edhe zhvillimin e përgjithshëm. Në fushatën për zgjedhjet e 8 qershorit, Hashim Thaçi ka shpalosur misionin e tij për Kosovën, pas pas lirisë dhe pavarësisë.
Për Thaçin, prioritet për 4 vitet e ardhshme, mbetet zhvillimi ekonomik i vendit, krijimi i 200 mijë vendeve të punës, i fondit të punësimit 1.5 miliardë euro, 500 milionë nga i cili do investohen për bujqësinë, si dhe rritja e mirëqënies sociale dhe e rrogave. Gjatë qeverisjes së fundit, kryeministri Thaçi ka qenë nismëtar i mbledhjeve historike me qeverinë e Shqipërisë dhe premton se ky bashkëpunim do të forcohet në mandatin e ardhshëm.
2. ISA MUSTAFA
Isa Mustafa, lideri i Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, është kandidati i kësaj force politike për kryeministër të ardhshëm të vendit. 63 vjecari, me profesion ekonomist, prej gati 30 vitesh, është një nga politikanët më aktiv të Kosovës, përvec viteve të emigrimit.
Mustafa e nisi karrierën e tij politike në vitet ’80, duke udhëhequr qeverinë komunale të Prishtinës deri në 1988, pozitë në të cilën u rikthye në vitin 2007 kur mposhti zëvendëskryetarin e PDK-së, Fatmir Limajn në zgjedhjet për kryetar komune. Në zgjedhjet komunale të vitit 2009, Mustafa i rizgjodh kryetar i Prishtinës, këtë herë pa balotazh.
Gjatë viteve të 1990, Isa Mustafa jetoi në mërgim, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Shqipëri dhe Kroaci, pasi ndaj tij u lëshua urdhër arresti nga regjimi serb. Ai u bë Ministër i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e Republikës së Kosovës në ekzil, e cila udhëhiqej nga Bujar Bukoshi. U kthye në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 ku nisi punë në Universitetin e Kosovës, para se të bëhej në 2006-ën këshilltar i lartë politik i presidentit të atëhershëm,
Fatmir Sejdiu. Ka qënë anëtar i Këshillit drejtues i Bankës së Re të Kosovës, anëtar i Këshillit drejtues i Universitetit të Kosovës, anëtar i Këshillit drejtues i Bankës Qendrore të Kosovës. Më 7 nëntor 2010, Isa Mustafa në Kuvendin e 7-të zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës me 235 vota u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës duke e mundur kundërkandidatin Fatmir Sejdiu i cili mori 124 vota. Ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në disa projekte vendëse dhe ndërkombëtare në fushën e zhvillimit ekonomik, sidomos ato që kanë të bëjnë me politikat fiskale, arsimin dhe zhvillimin ekonomik lokal. Ka botuar disa tekste universitare, tekste për shkolla të mesme si dhe punime të tjera shkencore dhe profesionale në vend dhe jashtë vendit. Përgjatë fushatës elektorale për në zgjedhjet e të dielës, LDK dhe lideri i saj Mustafa, ka shpalosur pikat kryesore të programit të tij qeverisës, nëse do të zgjidhet kryeministër. Fushata e Mustafës është fokusuar kryesisht tek akuzat ndaj rivalit të PDK-së, Hashim Thaçi. Ka ardhur koha, është shprehur ai, që partia LDK të qeverisë vendin. Lidhja Demokratike e Kosovës ka disa synime: të hapemi drejt të rinjve, femrave dhe të gjithë atyre që ardhmërinë e Kosovës e shohn në qeverisje të drejtë, ligjore, demokratike dhe europiane. Mustafa ka premtuar zhvillim ekonomik të vendit, krijimin e mijëra vendeve të punës, rritjen e pagave të sektorit publik me 75% dhe ndërtimin e një shteti demokratik ku sundon ligji dhe rendi. Padyshim në fokus të LDK-së mbetet padyshim anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Europian. Shumë herë përgjatë fushatës së tij, Isa Mustafa ka deklaruar se është i gatshëm për një koalicion pas-zgjedhor me Vetëvendosjen por kurrsesi me Hashim Thaçin.
3. BEHGJET PACOLLI OSE “NA KRYEJME PUNE”
Behgjet Pacolli është një biznesmen i njohur në Kosovë dhe me gjerë si dhe një politikan, i cili garon për postin e kryeministrit në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. Përpara angazhimit në politikë, Pacolli ishte i përqëndruar dhe vërtet i suksesshëm në rrugën e sipërmarrësit, veprimtari e cila shtrihet anembanë botës.
Më 1976, Pacolli shkoi në Zvicër ku u bë njëri menaxherët më të mirë të “Inerplastica”, kompani inxhinierimi dhe biznesi e cila merrej me kemikale dhe plastikë ne bashkëpunim me shtetet e bllokut sovjetik. Më 1990, ai themeloi "Mabetex Project Management", kompani konstruksioni e bazuar në Lugano, Zvicër e cila tashmë është e zhvilluar në një grup biznesi te fuqishëm e quajtur "Mabetex Group". Grupi përfshin gjithashtu edhe tabloidin e përditshëm kosovar "Lajm", e themeluar më 2002. Pacolli mbanë akoma dhe sot postin e Presidentit dhe CEO-së në "Mabetex Group". Pacolli dha ndihmën humanitare në kampin e refugjatëve në Mal të Zi dhe në Kukës si dhe ndihmën e koordinuar në Kosovë pas mbarimit të luftës. Përveç kësaj, Pacolli dhuroi 5.1 milion euro për ndërtimin dhe furnizimin komplet të Universitetit Amerikan në Prishtinë. Në vitin 2004, Pacolli bëri të mundur lirimin e tre punëtorëve të OKB-së të marrur peng në Afganistan (Shqipe Hebibi, Annette Flannigan dhe Angelitoo Nayan). Fondacioni humanitar i Z.Pacolli “Behgjet Pacolli” ka ndërtuar dhe furnizuar Universitetin Amerikan të Kosovës, në Prishtinë.
Më 3 Korrik 2010, z. Pacolli u nderua me çmimin “Kalorësi i Paqes së Mijëvjëçarit“. Ai drejton disa fondacione si Fondacioni humanitar Behgjet Pacolli, Fondacioni Ibrahim Kodra etj. Behgjet Pacolli, babai i 4 fëmijëve, është shqiptari më i pasur në botë me shtetësi shqiptare.
Në vitet e fundit, Pacolli është angazhuar në jetën politike të Kosovës. Në 17 mars 2006, ai themeloi partinë “Aleanca Kosova e Re”, e cila në zgjedhjet e 2007 u rendit partia e tretë më e votuar, duke fituar 13 vende në parlament. Nga viti 2004, Behgjet Pacolli është angazhuar realisht për cështjen e Kosovës, në përkrahje të pavarësisë së plotë të saj. Pacolli u zgjodh President i vendit nga parlamenti me 62 vota pro në 23 shkurt 2011, dhe u shkarkua pas 37 ditësh pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese se përgjatë votimit për kandidaturën e Pacollit për President, është shkelur Kushtetuta, duke e shpallur të pavlefshëm votimin. Pas kësaj Pacolli dha dorëheqjen. Pas zgjedhjeve të 2011-ës, lideri i AKR-së bëri koalicion bashkëqeverisës me PDK-në e Thaçit, duke marrë postin e zv.kryeministrit të parë të Kosovës. Për partinë “Aleanca për Kosovën e Re” programi qeverisës fokusohet në rimëkëmbjen e vendit dhe ekonomisë së brishtë të Kosovës. Nën siglën “Na kryjmë punë” Behgjet Pacolli, kandidati i kësaj partie, ka premtuar zhvillim ekonomik, forcim të shtetit e të gjykatave, luftë të hekurt ndaj korrupsionit, politika sociale, bashkimi kombëtar dhe integrim të Kosovës në Bashkimin Europian. Ky program, është shprehur Pacolli, do ta shndërrojë Kosovën në histori botërore suksesi.
4. ALBIN KURTI
Albin Kurti është personi i cili e shndërroi atë që lindi si “Partia e rrugës” në një parti të mirëfilltë politike me disa deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ai njihet gjerësisht si veprimtar aktiv politik për çështjen kombëtare. Albin Kurti lindi në mars të 1975-ës në Prishtinës. Kurti ishte njëri ndër udhëheqësit dhe nismëtarët e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit. Me fillimin e luftës në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Albin Kurti filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbeu si sekretar i zyrës. Gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar në gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Kosovë. Gjatë bombardimeve të NATO-s ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe. Në vitin 2000 ai u dënua me 15 vjet burg.
Si rezultat i presionit ndërkombëtar Albini u lirua më 7 dhjetor 2001. Në 15 qershor 2005, në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën "Jo negociata, vetëvendosje", lëvizje e cila solli edhe krijimin e “Vetëvendosjes”. Policia e Kosovës, burgosi e dënoi qindra aktivistë, ndër ta edhe Kurtin. Albin Kurti që lëvizja që ai drejton ka kërkuar gjithnjë që në Kosovë të mbahet një referendum popullor për të zgjedhur statusin e Kosovës, duke dalë shumë herë kundër politikave të ndjekura nga qeveria aktuale por edhe duke qënë një zë i fortë në Kuvend. Në zgjedhjet e vitit 2010, Lëvizja "Vetëvendosje" arriti të tejkalojë pritshmëritë, duke siguruar 14 deputetë në parlamentin vendas. Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat Albin Kurti i kishte kërkuar prej kohësh pasi i vlerëson si test real për qeverinë aktuale. Lëvizja "Vetëvendosje" vjen me një program të ngjeshur dhe me një alternativë të qartë qeverisëse. Në fokus të tij është shërbimi dhe jo sundimi ndaj qytetarëve. Albin Kurti, që është edhe kandidati i kësaj force politike për kryeministër, është angazhuar për politika sociale që zbusin pabarazinë, për politika krejt të ndryshuara fiskale, për gjenerim të ekonomisë dhe për një kapitull të ri në Kosovën e pasluftës. Për “Vetëvendosjen” dhe për Albin Kurtin, 8 qershori është një sfidë e madhe.
5. RAMUSH HARADINAJ OSE “DREJTIMI I RI”
Nga ushtar në politikan, ky ka qënë kapërcimi i bërë nga Ramush Haradinaj, dikur një udhëheqës i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, sot një politikan. Haradinaj ka lindur në korrik të 1968 në Gllogjan, afër Decanit. Haradinaj kreu studimet në Universitetin e Prishtinës, në fakultetin e Drejtësisë. Ai ishte komandant i UCK-së por në vitin 2000 u largua përfundimisht nga jeta ushtarake dhe menjëherë vendosi të hyjë në politikë, duke krijuar partinë “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, kryetar i së cilës është ende sot e nën siglën e së cilës garon në zgjedhjet e kësaj të diele, për postin e kryeministrit, post të cilin e ka mbajtur një dekadë më parë. Në 3 dhjetor 2004, ai u zgjodh në parlament si kryeministri i Kosovës me shumicë votash. Kur kishte vetëm pak muaj që ishte zgjedhur kreu i qeverisë së Prishtinës, gjykata e krimeve të luftës n ëish-Jugosllavi, publikoi akt-akuzën për krime lufte ndaj tij dhe si rrjedhojë po atë ditë Haradinaj u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, për t'u përballur me akuzat. Menjëherë më 9 mars ai shkon në Hagë për tu përballur me akuzat por sapo mbërriti atje u arrestua. Pas disa muajve në paraburgim ai u lirua përkohësisht deri në fillim të gjykimit të tij. Sipas padisë, Haradinaj u akuzua për krime luftë kundër njerëzimit. Në fakt, shumë kosovarë dhe ushtarë të UCK-së u zhgënjyen nga vendimi i Haradinaj për të themeluar një parti të re, pasi mendonin se Haradinaj do të bashkohej me Thaçin në një forcë të vetme, sic ishin bashkë në luftën e UCK-së. Nga shumë shqiptarë, Ramush Haradinaj cilësohet dhe vlerësohet si hero kombëtar. Por që nga zgjedhjet e 2004-ës, Haradinaj është parë më shumë i tillë, se sa një politikan i vërtetë.
Kronologjia e jetës dhe karrierës së Haradinajt është vërtet e gjatë, nga ditët e frontit si komandant i UCK-së, më pas drejt Zvicrës, më pas si kryeministër për 100 ditë, procesi në Hagë dhe sot në Prishtinë, ku u prit si një hero i vërtet.
Në zgjedhjet e 8 qershorit, duke synuar një mandat të dytë si kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj garon nën siglën “Drejtimi i ri”. Haradinaj ka premtuar hapjen e 200 mijë vendeve të reja të punës, page mesatare 1 mijë euro, rritje ekonomike, barazi para ligjit dhe zero korrupsion, ndërsa një focus i vecantë do ti kushtohet sektorit të energjisë dhe minierave. Me Haradinajn, është "koha që Kosova të bëjë ndryshimin e ri, të fillojë drejtimin e ri në qeverisje, drejtimin e ri për një jetë sa më të mirë".
/Ora News/
Add new comment