Optimizëm i verbër - thotë Stefani për Kukan. Dhe i kujton ç'pësuan hrushovianët e '60-s

Reforma parlamentare, reforma në gjyqësor dhe reforma në administratën publike, janë tri kushtet që duhet të plotësohen deri në nëntor të këtij viti nga Shqipëria. Çfarë do të ndodhë me statusin kandidat nëse këto tri kushte nuk plotësohen ose plotësohen vetëm pjesërisht? Kjo ishte pyetja që iu bë europarlamentarit Eduard Kukan nga një pjesëmarrëse, gjatë një takimi me temë “Shqiptarët në Europë”. Kukan u përgjigj: “Po të isha në vendin tuaj nuk do ta kisha bërë një pyetje të tillë. Unë mendoj se ju duhet të mendoni sesi këto tri kushte duhen përmbushur, e jo se ‘çfarë do të ndodhte nëse ne nuk i përmbushim’. Unë refuzoj të mendoj një mundësi të tillë”
"Kukan vendosi të shfaqë një optimizëm të verbër" - shkruan Andrea Stefani në një analizë botuar në të përditshmen SHQIP,- dhe shton: "Një optimizëm alarmues, sepse të jep të kuptosh që Kukan nuk kupton, ose nuk e kanë informuar si duhet për të kuptuar se konflikti politik në Shqipëri nuk bëhet për probleme konvencionale, pra lehtësisht të kapërcyeshme, se në Shqipëri kanë lindur forca dhe pushtete që nuk janë fare të interesuara për përmbushjen pikërisht edhe të atyre tri kushteve për marrjen e statusit".
Stefani analizon më pas se kërkohet të reformohen tri rrafshe të veprimtarisë shtetërore, ku për fat të keq, pushteti autokratik i Sali Berishës ka derdhur kolonat e veta mbajtëse.
Shkruan Stefani: "Kërkohet të reformohet rregullorja si funksionon Kuvendi. Kjo do të thoshte që PD-ja të mos mund të ushtronte dot atë tirani shumice që po ushtron prej vitesh në Kuvend. Reformimi i gjyqësorit... Një qeveri e përmbytur nga skandalet korruptive nuk do të pranonte të bënte reforma vetëvrasëse që do të çonin në ndëshkimin e korrupsionit që ajo vetë ka kryer. Depolitizimi i administratës publike? E si mund të pranojë një gjë të tillë një qeveri që e ka shndërruar administratën publike në çiflig të shpërblimit të militantëve partiakë, të pasurimit të saj dhe në një nga motorët kryesorë për manipulimin e zgjedhjeve? Qeveria “Berisha” nuk mund të pranojë ndryshime thelbësore në këto tri sfera të veprimtarisë shtetërore, pa vënë në rrezik vetveten".
Stefani gjen në fund një krahasim në historinë e Shqipërisë: momenti i denoncimit të kultit të Stalinit nga Nikita Hrushovi në vitet ‘60 dhe aludon (Stefani e risjell përherë e më shpesh këtë ndjesi në analizat e tij) tendencën ende të fshehur të Berishës për një kurs tjetër nga ai perëndimor.
Shkruan Stefani: "Mbi atë kult ishin themeluar edhe jo pak pushtete në Europën Lindore e Juglindore, ndër të cilat, edhe pushteti i Enver Hoxhës në Shqipëri. Prandaj ky i fundit, koshient se kritika ndaj kultit të Stalinit do të çonte në kritikën e kultit të tij, refuzoi t’u bashkohej reformave liberalizuese hrushoviane. Ai vendosi të shkojë “Me Stalinin”. Të besoje në atë kohë se “hrushovianët” e Konferencës së Tiranës do të mund të arrinin një konsensus për reformën me enverianët, do të ishte një naivitet dhe optimizëm i papërligjur... Tamam si optimizmi që shfaq sot Kukan.. Ora e së vërtetës po afron" - A.N.
Add new comment