Oligarkët rusë mes dy zjarresh: Qëndrimet e Putinit po u rrënojnë biznesin, por të kundërshtojnë është akoma më keq

Postuar në 21 Korrik, 2014 11:09

Kujt t’ja prishin e kujt t’ja ndreqin. Oligarkët rusë po përjetojnë një epokë të vështirë, ku nga njëra anë sjellja e presidentit Putin po shkatërron bizneset, ndërsa nga ana tjetër, çdo reagim i mundshëm i tyre do ishte akoma më keq, duke patur parasysh si e kanë pësuar ata që guxuan të kundërshtojnë carin e Kremlinit. Këtë pozicion mes dy zjarresh e pohoi për agjencinë Bloomberg, Igor Bunin, kreu i Qendrës për Teknologjinë Politike në Moskë. “Elita ekonomike dhe ajo e biznesit është në horror. Askush nuk flet dot se kanë frikë nga hakmarrja. Çdo shenjë rebelimi dhe ata do ulen në gjunjë,” tha Bunin. SHBA i ka vendosur edhe më parë sanksione kompanive dhe individëve rusë, por Britania dhe Holanda po bëjnë presion që BE të vendosë sanksione akoma më të ashpra pas rrëzimit të avionit të Malaysia Airlines. Ekspertët besojnë se sanksionet e reja do e çojnë ekonominë 2 trilion dollarëshe të Rusisë drejt recesionit, dhe ato kanë nisur që të japin efekt që tani. OAO Novatek, një gjigand i prodhimit të gazit, në pronësi të mikut të Putinit, Gennady Timchenko, pa se si vlera në treg iu ul me rreth 3 miliard dollarë pasi SHBA e ndaloi që të përdorë tregjet e saj të debitit. Edhe Londra po bën presion që të shtohen sanksionet ndaj miqve të Putinit. Ka spekulime se ndër personat e shënjestruar do jetë edhe Roman Abramovich, pronari i ekipit të Chelsea-t në Angli, por edhe Alisher Usmanov, aksioner tek Arsenal, me një pasuri të përllogaritet tek 11 miliardë sterlina. Ndërkohë Rusia vazhdon t’ia hedhë fajin Ukrainës për rrëzimin e avionit.

a.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.