Nuk kuptojnë që nderojnë një vrasës, - thotë Qosja për raportin Berishë-Prishtinë dhe sugjeron "demonstrata pavarësisht plumbave"

"Solidarizohem me ish-të burgosurit politikë që po bëjnë grevë në Tiranë. Por, megjithatë, do të doja t'u them atyre se me grevën dhe me vetëdjegiet nuk do ta zgjidhin çështjen më të madhe të Shqipërisë sot: çështjen 22-vjeçare të quajtur Sali Berisha" - shkruan Rexhep Qosja në një analizë sot në të përditshmen "Gazeta Shqiptare" (e gjeni të plotë edhe në kolonën përbri të ResPublica-s).
Sugjeron Qosja: "Mësuesja e madhe e jetës - historia, na mëson se popujt prej dhunëtarëve të tyre politikë e shtetërorë kurrë nuk janë çliruar duke u vetëflijuar. Jo. Populli shqiptar, sovrani i Shqipërisë, do të çlirohet prej dhunës së Sali Berishës.. me mjete të tjera të ligjshme demokratike: me demonstrata, që nuk do të ndalen pavarësisht prej plumbave..."
Pasi e quan sjelljen e kryeministrit shqiptar me ish-të burgosurit politikë të diktaturës "çnjerëzore", Qosja kritikon ashpër edhe klasën politike të Prihtinës për sjelljen me Sali Berishën: "Në Gjakovë dhe në Deçan, para katër ditësh, ai u prit siç nuk priten më, vrasësit politikë në botë. Po, nuk ishte kjo hera e parë që një pjesë e klasës politike të Kosovës nuk kupton ç'po ndodh në Shqipëri. Sikur të kuptonin politikisht si duhet dhe sikur të vlerësonin historikisht si duhet ç'po ndodh në Shqipëri, këta pjesëtarë të klasës politike kosovare nuk do ta nderonin me çmimin "Qytetar Nderi" i Deçanit një kryeministër politikën e të cilit do ta shënojnë jo vetëm sjelljet kundërkombëtare ndaj fatit të Kosovës deri në çlirimin e saj prej Serbisë, në qershor të vitit 1999..." (A.N.)
Add new comment