Nuk ka gjë se faturën e paguajnë të varfrit e ndershëm

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka folur sot në aktivitetin e zgjeruar me temë energjinë elektrike. “Takim kombëtar. Mbrojtja e energjisë dhe lufta ndaj krimit urban dhe mjedisor, sfida të përgjegjësisë publike”, quhet takimi, ku ka marrë pjesë edhe minsitri i Brendshëm si dhe aleati i PS-së në koalicion, kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në aktivitet ka folur edhe ministri i Brendshëm, sepse policia pritet të luajë një rol në eliminimin e vjedhjes. Ka shumë rëndësi ajo çfarë thotë kryeministri, pasi në emër të vjedhjes së energjisë, po ndërmerret një reformë që ka të bëjë me rishikimin e çmimit. “Nëse varfëria do të ishte me të vërtetë një arsye e pakapërcyeshme,pse nuk i shkon mendja një pensionisti? Nuk është varfëria arsyeja pse vidhet energjia. Besoj se nuk është varfëria arsyeja që dhe këtu në këtë sallë ka bashkëpuntorë të hajdutëve të energjisë. Nuk besoj se e bëjnë nga varfëria, kompanitë e mëdha, lokalet në qendër të Tiranës që paguajnë energji sa një familje. Ata që e paguajnë sot energjinë janë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, që paguajnë dhe për ata që nuk paguajnë. Ata që nuk e paguajnë e vjedhin sepse nuk ka patur asnjëherë shtet për t’u treguar vendin, as gjykatë. Nuk ka qenë varfëria ajo që ka bërë që institucionet publike të vendit për vite të jenë debitore të hatashme të këtij sistemi”, tha Rama. Marrë fjalë për fjalë kjo deklaratë, mund të kuptohet se është menaxhimi ai që ka sjellë këtë situatë. Dhe do të mjaftonte pra rregullimi i menaxhimit për të eliminuar marzhin e vjedhjes. Kështu nëse fasha 300kwh thuhet se është keqpërdorur që dikush të vjedhë, atëherë me fjalët e kryeministrit, por edhe me faktin se brenda kësaj fashe figurojnë 76.3% e konssumatorëve familjarë, nuk janë njerëzit e ndershëm ata që e kanë keqpërdorur atë, por të këqinjtë, ndalimi i të cilëve është detyra e shtetit që ta bëjë. Për këtë arsye nuk ka sesi të kuptohet përfshirja në reformën menaxheriale të sistemit energjetik, edhe e rritjes së çmimit dhe heqja e fashës, pasi kështu thjesht pohohet se me të thatin do digjet edhe i njomi. Nga ana tjetër, ministri i linjës, Damian Gjiknuri, deklaroi se dëmi vjetor nga kjo vjedhje shkon në 8 miliardë lekë. Po institucionet shtetërore sa e kanë borxhin për fatura të papaguara? Pse nuk nis kjo sipërmarrje e virtytshme pikërisht nga vjelja e debitit të këtyre institucioneve? Pse në emër të mirëmenaxhimit shpallet luftë ndaj hajdutëve, por shpëtimi i sistemit shikohet te rritja faktike e çmimit? Sigurisht që të ndershmit të tillë do të mbeten edhe me rritjen e çmimit të energjisë, pasi nuk besohet se e kanë ndershmërinë atu të kushtëzuar nga qeverisjet që i kanë zënë derën këtij vendi. Por më e pakta që mund të kërkohet nga një qeveri është të thotë hapur se nuk dalin llogaritë po të vazhdohet kështu dhe se në kurriz faturën e re do të mbajnë të gjithë. Dhe kjo të gjithë duhet të fillojë nga institucionet për të cilat ekziston iluzioni se përfaqësojnë qytetarët. Rasti në fjalë kujton disi, edhe pse analogjitë përherë çalojnë, rastin e pallatit të Vlorës, për dëmshpërblimin e banorëve të të cilit, u hap dera e buxhetit të shtetit. Pra qeveria dhe kryeministri thjesht futën dorën në xhepin tonë. Dhe kjo për të paguar një faturë që i takon tjetërkujt ta paguajë. Kryeministri do të duhet të ishte shumë i lumtur që në vendin që drejton ka të varfër që paguajnë dhe që janë të ndershëm, pasi në rast të çdo nisme që u kërkon atyre që kanë abuzuar, dëmin që kanë shkaktuar, do të kishte nga pas një mbështetje të pakushtëzuar. Kjo ndodh edhe ngase në Shqipëri ka një mendim të përhapur jo pak, që i merr të ndershmit për naivë. Shtuar kësaj edhe fakti më i fundit publik, që po e vendos Policinë e Shtetit në rolin e Forcave të Ndjekjes.
skerdilajd zaimi
Comments
Nuk ka lidhje dallimi i
<p>Nuk ka lidhje dallimi i varfer/i pasur, i ndershem/hajdut, qeverise i duhen leke, urgjentisht, dhe do i marre keto ku te mundet e si te mundet. Nuk do mbese metode pa u provuar: qe nga rritja e takses se karburanteve, akcizes, tatimi mbi te ardhurat, taksave te qarkullimit etj.etj. Kjo qeveri nuk do te bjere prej opozites, as prej Lulzimit apo Berishes; do te bjere kur ketij mileti mos t'i kete mbetur gje mbas shpirti per tu dhene abuzuesve e mafiozeve qe vazhdojne te qeverisin e sundojne ne kupolen e shtetit.</p>
Add new comment