Njësoj si në Shqipëri edhe në Kosovë: Çdo gjë pazar. Augustin Palokaj propozon që “të paktën” presidenti të zgjidhet nga qytetarët

Përfundimi i odisesë së negociatave për qeverinë e re të Kosovës, solli “të papriturën” e madhe të pajtimit të dy kundërshtarëve, Thaçi dhe Mustafa. Të dyja partitë e tyre bëjnë shumicën absolute, por ky është rasti më i qartë për të parë se shumica aritmetike, nuk përfaqëson shumicën politike të përfaqësimit, pasi askush në Kosovë nuk votuar për këtë lloj koalicioni. Më tej, zbulimi i pazarit për presidentin e ri të vendit, i heq edhe atë minimum legjitimiteti kësaj lloj politike. Si mund të zgjidhet kjo situatë e privatizimit të institucioneve? Një ide e jep sot Augustin Paloka te “Koha Ditore”, teksa shkruan: “...pjesa e marrëveshjes së Mustafës dhe Thaçit që ky i fundit të bëhet president i vendit me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës duhet të nxitë debat. Duke pasur parasysh se në Kosovë institucionet krijohen si rezultat i pazareve personale, prapa dyerve të mbyllura, dhe duke e ditur nivelin e ulët të besimit që ka mbetur në partitë politike, do të ishte mirë që së paku presidentin e Kosovës ta zgjedhin qytetarët”. Është një mendim që është mirë që vjen nga bota e medias, e që na vlen edhe ne këtu në Shqipëri. Jemi dëshmitarë të procesit të fundit për zgjedhjen e presidentit, që prodhoi aksidente, negociata, takime, deklarata, për të na sjellë një figurë, produkt kulisash. Ose dështimi kulisash për të qenë më të saktë. Kështu edhe më herët. Do të ishte mirë që ideja e vjetër e presidentit nga populli të fillojë rrugën edhe këtu.
s.z
Add new comment