Një tjetër qëndrim kritik amerikan ndaj Berishës... dhe një përgjigje për pyetjen: A i mbyllin lobingjet probleme si këto?

Pas raportit të djeshëm të OSBE-së, - ka mbërritur një (tjetër) qëndrim kritik i SHBA-ve për Tiranën zyrtare, i lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe perspektivën e votimeve të ardhshme. Ambasadori amerikan pranë misionit të OSBE-së në Vjenë Ian Kelly, citohet të ketë deklaruar në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së:
“Jemi të shqetësuar nëse njëanshmëria që mbizotëroi gjatë gjithë procesit të zgjedhjes së presidentit mund të vazhdojë, apo edhe të shtohet, teksa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që çdo fushatë zgjedhore pa dyshim kryhet energjikisht dhe me luftë të fortë, të gjitha partitë politike duhet të përpiqen të bëjnë fushata konstruktive dhe të bazuara në çështje që Shqipëria duhet të vazhdojë t’i zgjidhë, çështje kritike për vazhdimin e rrugës së integrimit euroatlantik të vendit...”.
Sa herë ka qëndrime kritike amerikane ndaj qeverisë së Tiranës, mendja shkon përherë e më shpesh te lobimi dhe lobistët, e si për ta përforcuar këtë, e përditshmja “Shqiptarja.Com” raporton: “Dje është kryer një pagesë e re në favor të kompanisë amerikane të lobimit “Podesta Group. 180 mijë dollarë janë paguar për këtë kompani me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë së konsulencës “Podesta Group” ka një marrëveshje, e cila është rinovuar në prill të vitit të shkuar. Që prej asaj periudhe qeveria shqiptare ka paguar mbi 1 milion e 80 mijë dollarë për këtë kompani. Kontrata rinovohet çdo gjashtë muaj dhe qeveria mbetet e angazhuar për të dhënë miliona për të përmirësuar imazhin e saj në sytë e Uashingtonit”.
Pyetja a munden lobimet ta bëjnë Uashingtonin të mbyllë një sy për probleme të rënda të funksionimit të demokracisë në një vend që paguan lobistë, është pyetje e vështirë. Dy javë më parë në një intervistë me të përditshmen “Shekulli”, Shpëtim Nazarko përshembull, duke analizuar shkarkimin e kreut të SHISH (veprim për të cilin autoritetet amerikane shprehën gjithashtu rezerva) tha: “Në rastin specifik Berisha mund të ketë llogaritur që mes një kontrolli të beftë pas shkarkimit të Bahri Shaqirit, të gjejë ndonjë përgjim që mund t’i kenë bërë vetë atij e pastaj ta përdorë si kartë justifikimi. Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe e detyruar siç e pamë kohë më parë, të bashkërendojë e të këshillohet me të për një post të tillë. Tani nuk e bëri. Çfarë ka llogaritur Berisha? Mbase ato që thamë më lart, mbase se lobingjet e tij në Amerikë i duken të mjaftueshme ta mbyllë problemin...”.
Dhe më pas gazetari i bën pyetjen: “I mbyllin lobingjet probleme si këto?”. - Nazarko: “Mua vetë megjithëse mendoj se i njoh rëndësitë e lobingjeve, më duket habi të besoj që themeli që mban Amerikën të bazohet te lobingu. Besoj që ky i fundit të mundëson mbylljen e syrit për ndonjë vjedhje të vogël brënda vëndit tënd, por jo për probleme që cënojnë Perandorinë.. Të rrojmë e të shohim...” – A.N.
Deklarata e Kelly:
http://www.balkanweb.com/kryesore/1/raporti-i-osbe-reagon-sh...
Lajmi për Podesta-n
http://www.shqiptarja.com/ekonomi/2733/berisha-jep-edhe-180-...
Intervista me Nazarkon:
http://shekulli.com.al/web/p.php?id=2714
Add new comment