Një tezë për origjinën e HIV/AIDS: Kinshasa e Kongos e vitit 1920

Postuar në 03 Tetor, 2014 04:34

“BBC” raporton për një studim të botuar në revistën “Science” sipas të cilit, nga një ekip i universitetit të Oksfordit dhe atij të Luvenit në Belgjikë, është zbuluar origjina e HIV/AIDS. Duke përdorur kampione të vjetra të kodit gjenetik të virusit, studiuesit kanë mbërritur në origjinën e pandemisë, që është Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos në vitin 1920. Tregtia e seksit, rritja e popullsisë dhe mungesa e sterilizimit në klinikat shëndetësore përhapën virusin. Është vlerësuar se ndonëse HIV/AIDS erdhi në vëmendjen e opinionit në vitet ’80 me infektimin më pas të 75 milionë njerëzve, virusi ka një histori më të gjatë në Afrikë. Sudimi thotë se HIV është një mutacion genetik i SIV, që është virusi i ngjashëm te shimpazetë dhe transmetohet përmes gjakut të infektuar. Nga ky kontakt u krijua HIV-1 që preku me mijëra në Kamerun. Por ishte nëngrupi HIV-1 M ai që infektoi me miliona. Kjo për arsye të densitetit të popullsisë dhe të kontakteve. Pra ishte krijimi i kushteve që solli pandeminë. Pak a shumë e ngjashme me atë që po ndodh sot me Ebolan në Afrikën Perëndimore. 

Gjithësesi ky studim, ose ky shpjegim nuk është i pari. Në vitet ’90 u qarkullua një histori tjetër që krijoi shumë polemika. Ishte një gazetar, Tom Curtis, ai që në vitin 1992, botoi një artikull në revistën “Rolling Stone” në të cilën hidhte idenë se HIV-AIDS kishte ardhur te njeriu përmes infeksionit të shkaktuar nga vaksina orale kundër poliomelitit. Por vetëm nga një variant i saj, ai i zhvilluar nga mjeku i njohur Hilari Koprowski(https://www.uow.edu.au/~bmartin/dissent/documents/AIDS/Curtis92.html), i cili e zhvilloi atë në Kongo. Kjo vaksinë konsiderohet si e para me të vërtetë efektive. Teza e Kurtis ishte se Koprowski përdorte për mbjelljen e kulturës së virusit qeliza të shimpazesë, që krijon kështu kushtet për kalimin nga SIV te HIV. Mirëpo kjo u hodh poshtë me argumentimin se asnjëherë nuk u përdorën shimpazetë, por majmunë të llojeve të tjera, më larg njeriut. Çështja arriti kulmin me publikimin e librit “The River: A Journey to the Source of HIV and AIDS” në vitin 1999 nga një tjetër gazetar, Edward Hooper, që bazohet pikërisht te ky argument, por edhe te një punë e jashtëzakonshme në terren. Teza u kundërshtua, pasi të gjitha kampionet u analizuan. Dhe një argument që u përdor ishte se varianti më vdekjeprurës i HIV kishte infektuar njerëzit përpara se të zhvillohej vaksina nga Koprowski, edhe pse në të dyja rastet pranohet se përgjegjës për infektimin është shimpazeja(http://www.historyofvaccines.org/content/articles/debunked-p...). Në çdo rast, edhe përmes studimit të sipërcituar nga “BBC”, gjurmët e HIV-AIDS, çojnë tani për tani vetëm në një vend: Kongo.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.