Një shembull (identik) nga Maqedonia për paralizimin e medias: Tashmë ka eliminim ekonomik, jo fizik

Portali “verifikimiifakteve” në Maqedoni publikon para disa ditësh një leksion të Tamara Çausidis që flet për situatën e mediave në shtetin fqinj. Ngjashmëritë me Shqipërinë janë të mëdha, kjo sidomos në mekanizmat e likujdimit të lirisë, të imponimit të autocensurës dhe më tej të zëvendësimit të kolegjialitetit me vendimmarrjen vertikale. Në fillim Çausidis konstaton taktikën e re të pushtetit kundrej mediave teksa “në vend të eliminimit fizik, tani kemi eliminim ekonomik, në masë të njëjtë, e ndoshta edhe më efikas se ai fizik. E gjitha ndodh nën arsyetimin e “tepricave teknologjike” dhe “shkaqeve afariste” me një procedurë haptazi cinike dhe të rrejshme. Largimet nga puna praktikisht i zëvendësuan mbylljet e dhunshme të mediave”. Kjo prekt kryesisht njerëzit me integritet profesional. “Një pjesë e madhe e atyre që janë larguar ose do të largohen nga puna për shkak të integritetit profesional ballafaqohen me pothuajse asnjëfarë mundësie për ripunësim në industrinë e okupuar mediatike. Për fat të keq, të gjithë në momentin kur do të jenë në shënjestër për t’u qëlluar ballafaqohen me një vetmi të pabesueshme. Kolegët në redaksi ua kthejnë kokën, heshtin, ose edhe më keq, e racionalizojnë dhe e arsyetojnë në mënyrë të pabazë dhe keqdashëse procedurën, e cila, është çështje kohe, se kur do t’i përfshijë edhe ata. “Të gjithëve do t’u vijë radha”, në mënyrë dramatike përpiqeshin të porosisin kolegët nga TV A1 kur e mbyllën medien e tyre. A e kuptuam porosinë shumë vonë?”, shkruan ajo. Një politikë që çon mandej në shpërbërjen e ndjesisë së komunitetit dhe në relativizim të vetë rolit të profesionit. “Funksionojmë në një mjedis ku niveli elementar i solidaritetit, bashkëndjesisë, po edhe i ndërgjegjes janë zhdukur krejtësisht. Gjendja e këtillë nuk është e rastësishme, ajo është pasojë e ekspozimit afatgjatë të mobingut të ashpër nëpër redaksi. Моbingu mund të fillojë ngadalë ose menjëherë, me dekret, me ndryshim të pronarit, me politikën “e rilindur” redaktuese ose nëpërmjet konfliktit me kryeredaktorin. Pa pasur asnjë arsye racionale, vëllimi i punës së gazetarëve të targetuar redukohet – u hiqen emisionet, nuk u pranohen temat, tekstet, edhe pse të shkruara dhe në shikim të parë të pranuara – nuk dalin në botimin e shtypur të gazetës ose në lajme, paralajmërohen me disa kërcënime të çuditshme dhe pa argumente të qarta “te kenë kujdes”, e gjithë kjo me qëllim që ata të dezorientohen në tërësi dhe ta humbin integritetin professional”, vijon Çausidis.
http://verifikimiifakteve.mk/eliminimi-ekonomik-i-gazetareve-e-zevendeso...
s.z
Add new comment