Një projekt studimor për hapësirën detare dhe disa mendime edhe për marrëveshjen e delimitimit të ujërave me fqinjët

Postuar në 13 Gusht, 2014 10:36

Kapiteni i Rangut të Parë, Artur Meçollari ka publikuar para disa kohësh një studim të quajtur: “UNCLOS 1982 dhe vija bazë e Republikës së Shqipërisë”, e cila është në vija të përgjithshme një analizë e situatës ligjore, historike dhe gjeografike të hapësirës detare të vendit tonë. Meçollari ka mbuluar disa detyra me rëndësi në Forcën Detare dhe duhet thënë se me projektin në fjalë, është ndër të parët pas viteve ’90 që sugjeron një variant të studiuar për “problemet detare” të Shqipërisë.

Projekti nis me të dhëna historike, duke u përqendruar te një element që është premisë e delimitimit të hapësirave detar: vija bazë.

"Vija bazë është një vijë e kombinuar e ndërtuar 44 vjet më parë ; për rajonin nga derdhja e lumit Buna deri në Kepin e Mërtesës ajo është një vijë e drejtë bazë, ndërsa për pjesën tjetër një vijë bazë normale”, shkruan Meçollari, duke shtuar se kjo vijë tanimë është legjitime, pasi nuk është kontestuar nga fqinjët. Këtu po sjellim disa konsiderata që lidhen me çështjen e delimitimit të hapësirës detare me Greqinë, për shkak të ndjeshmërisë publike, por edhe për faktin se marrëveshje e parë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Së pari Meçollari nënvizon një element të rëndësishëm që nuk është bërë i qartë më parë publikisht.

Delimitimi i hapësirave detare duhet të marrin në konsideratë disa kufizime që lidhen me pozicionet e fqinjëve tanë, si p.sh: të gjitha marrëveshjet detare të Greqisë janë të kushtëzuara nga objektivi i saj për ndryshimin e regjimit detar në Detin Egje; delimitimi i zonës ekonomike ekskluzive në Detin Mesdhe është bllokuar nga Italia, pasi kjo e fundit ka shprehur rezerva mbi këtë term të UNCLOS 1982; Mali i zi pavarësisht se e ka ratifikuar UNCLOS 1982 qysh në periudhën e ish Jugosllavisë, për delimitimin e detit territorial me Shqipërinë synon të aplikojë Protokollin e Firences për kufirin tokësor të vitit 1926. Si rrjedhim, njohja e politikave detare të fqinjëve tanë, pozicioni i tyre në lidhje me UNCLOS 1982 dhe regjimet specifike detare që ato aplikojnë, janë të rëndësishme për hartimin e platformave të besueshme dhe racionale për negocimin e kufijve detarë

thotë Meçollari.

Nëse do të mbeteshim te rasti i çështjes sonë me Greqinë, ky përcaktim shpjegon në dritë të re deklaratën e ish-ministres së Jashtme greke Bakojanis “që me marrëveshjen me Shqipërinë, Greqia arriti një fitore strategjike”. Kjo pasi precedenti pozitiv i një pakti me një nga vendet fqinje, pavarësisht termave teknikë, shënonte një përmirësim të ndjeshëm në pozitat negociatore greke në Egje. Por problemi kryesor që duket se ka Shqipëria në raport me hapësirën e saj detare është mungesa e “një koncepti të qartë dhe të unifikuar të strategjisë së sigurisë kombëtare detare”, si dhe problemet e mangësive në legjislacion.

Vija bazë e Shqipërisë në Detin Jon është kontestuar nga SHBA, por jo nga Greqia, si vendi i interesuar për këtë vijë. Vija e drejtë bazë e përcaktuar qysh nga Ligji 4650 datë 9.3.1970, me të njëjtin formulim, vazhdon të jetë në fuqi edhe sot mbas miratimit të Ligjit Nr. 60/2012 datë 25 prill 2012. Për rajonin jugor të Shqipërisë (Detin Jon) ligji shprehej se: “vija e drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjiut të Gramës, Kepin e Gjiut të Palermos56, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë”. Ky përcaktim i bërë në ligj është konfuz në pjesën e fundit të tij “si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë”, dhe është plotësisht në kundërshtim me kërkesat e Nenit 16 të UNCLOS 1982. Përcaktimi i bërë në ligj për vijën bazë në rajonin e Kanalit të Korfuzit përfaqëson vijën delimituese të detit territorial midis dy shteteve, shpallje që nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme. Vija e drejtë bazë e Shqipërisë sipas Ligjit Nr. 60/2012 datë 25 prill 2012 nuk është në përputhje me kërkesat formuluese të UNCLOS 1982. Është e nevojshme një ligj i ri për kufijtë detar, sipas propozimit të Forcës Detare të bërë në janar 2011. Kjo do të kërkonte prezantimin e vijës së drejtë bazë në formë tabelore dhe me koordinata gjeografike. Gjithashtu, Forca Detare ka propozuar që vija e drejtë bazë e Shqipërisë të mbyllë të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë dhe të jetë e kombinuar, duke aplikuar nenin 10 dhe 7 të UNCLOS 1982. Pra, kjo nënkupton që pjesa jugore nga Kepi i Mërtesës deri në Gjirin e Ftelias, e pa mbyllur nga ligji në fuqi, të mbyllet me një vijë të drejtë bazë

shkruan Meçollari. 

Kur vjen puna te  marrëveshja e parë me Greqinë, e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, shkeljet konstatohen qartë dhe ato vijnë në kundërshtim me vetë Konventën UNCLOS 1982, çka me një logjikë elementare, e bën shumë të argumentueshëm pozicionin aktual të Shqipërisë edhe në një përballje eventuale arbitrazhi. Në kuadrin e zhvillimeve të brendshme shqiptare, ka vlerë konstatimi se Grupi Negociator ka tejkaluar kompetencat. “Delimitimi i hapësirave detare midis shteteve bregdetare behet me marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa shpallja e vijës së drejtë bazë është një akt i njëanshëm i shtetit bregdetar. Marrëveshja detare midis Shqipërisë dhe Greqisë e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, përveçse përcaktoi vijën delimituese të hapësirave detare midis dy shteteve, përcaktoi edhe vijën e drejtë bazë për katër gjire për Shqipërinë dhe dy gjire për Greqinë. Një veprim i tillë ishte në kapërcim të autoritetit të Grupit Negociator dhe në shkelje të dispozitave të UNCLOS 1982”, shkruan ai.

Më tej, Meçollari shtjellon regjimin hidrolundrimor në veriun e Kanalit të Korfuzit, jep disa variante për ndërtimin e vijës bazë, shpjegon vijën bazë të fqinjëve dhe sugjeron si themel të negociatave të ardhshme, përmirësimin e kuadrit ligjor. Në kuptim të gjetjes së një kompromisi me palën greke në lidhje me disa rajone të caktuara kapiteni i Rangut të Parë ndër të tjera shkruan: “Forca Detare ka propozuar mbylljen e Gjirit të Butrintit në një vijë tjetër nga ajo e pranuar në Marrëveshje. Çështja e vijës së drejtë bazë në Gjirin e Butrintit mund të jetë e vetmja vijë e diskutueshme.  

Gjiri i Tetranisit është një gji i ligjshëm i pranuar edhe në Marrëveshjen me Greqinë. Lidhur me Grykën e Fokjanos, Forca Detare ka propozuar ndërtimin e një vije të drejtë bazë që kalon nga Kepi i Stillos, Ishulli i Stillos dhe Kepi Lindor i Gjirit të Fokjanos. Prezenca e Ishullit të Stillos mundëson mbylljen me vijë bazë në përputhje me nenin 7 të UNCLOS-it pa krijuar hapësira detare shtesë të detit territorial. Gjiri i Ftelias nuk mund të mbyllet, pasi bie në kundërshtim me nenin 10 (1) të UNCLOS 1982. Ai është gji i përbashkët për të dy shtetet.  Ndryshimi i vijës së drejtë bazë në bregdetin e Detit Jon edhe mund të jetë çështje e kontestueshme nga pala greke. Por, duke patur parasysh se Gjiri i Korfuzit plotëson kriteret për të qenë një gji i ligjshëm, megjithatë, nuk është shpallur i tillë nga Greqia.Pranimi i tij si gji i mbyllur nga pala shqiptare pa një akt ligjor nga pala greke, mund të jetë një pikë kompromisi, ashtu siç ishte parashikuar në Marrëveshjen Detare me Greqinë dhe të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese 

Gjithçka mbetet një projekt studimor, Qendrës së Sigurisë dhe Mbrojtjes, por në çdo rast  një projekt i cili mund të japë një premisë më shumë për grupin e ardhshëm negociator.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.