Një njoftim nga Ministria e Brendshme për...veterinerët dhe kafshët shtëpiake!

Ministria e Brendshme përmes një njoftimi për shtyp ka shprehur shqetësimin e saj për keqtrajtimin e kafshëve shtëpiake duke kërkuar nga qytetarët dhe veterinerët e rretheve të denoncojnë çdo rast të dhunës dhe organizmit të ndeshjeve të paligjshme me qen.
Duke iu referuar nenit 76 të Ligjit "Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë", Ministria e Brendshme u kujton qytetarëve se janë të ndaluara të gjitha veprimet që bien ndesh me mirëqenien e kafshëve siç është shkaktimi i torturës, dhunës fizike dhe verbale, sjellja çnjerëzore, frikës, dëmtimit, dhimbjes, vuajtjes, shqetësimit apo ankthit.
Në njoftim citohet edhe pika 2 e nenit të këtij ligji, ku thuhet se ndalohet rreptësisht ndërsimi i kafshëve kundër njëra-tjetrës, ose përdorimi i kafshëve për luftime a shfaqje që shkaktojnë dhimbje, dëmtime, plagosje, ose ngordhje.
Ministria e Brendshme thotë se në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin veterinar në çdo qark, i cili ka kompetencën për ushtrimin e kontrolleve dhe marrjen e masave administrative dhe ndëshkimin ligjor të personave përgjegjës, do të ndëshkohen të gjithë ata persona që do të zhvillojnë aktivitete të paligjshme me kafshët shtëpiake.
l.m
Add new comment