Një kritikë e thellë ndaj “Thellësisë Strategjike” të kryeministrit aktual turk. "Neootomanizmi është në fakt Pan-islamizëm", thotë gazetari turk Ümit Kıvanç

Gazeta turke “Zaman” që posedohet nga Fetullah Gulen, ka publikuar këtë të hënë një intervistë me gazetarin dhe kolumnistin Ümit Kıvanç. Ky i fundit ka botuar së fundmi një libër me titull: “Guidë në aventurën pan-islamiste”, libër i cili analizon në mënyrë shumë kritike konceptet dhe doktrinën që kryeministri aktual turk, Ahmet Davutoglu, ka përpunuar në librin e tij të njohur “Thellësia strategjike”. Davutogluja është lakuar shpesh edhe në Shqipëri për atë që thirret si neootomanizëm, por për gazetarin turk, ky është në fakt panislamizëm. “Po të ndiqen ato që shkruan ai një vend mund të lëshohet në një aventurë shumë të rrezikshme. Libri i Davutoglusë është një guidë për aksion ideologjik; nuk është një libër akademik që bazohet në ndonjë teori”, thotë gazetari Kıvanç që ka edhe një çelës për të kuptuar qëllimet e kryeministrit turk. “Davutoglu do të donte të vendoste një “qytetërim”-koncepti i tij kyç-që bazohet në Islam. Ai argumenton se nëse lidershipi turk do të mund të bindë arabët se otomanët nuk ishin imperialistë, por përkundrazi, ata po përpiqeshin që të shpëtonin arabët nga ekspansionizmi kolonial perëndimor, atëherë arabët do të pranonin lidershipin turk. Me sa duket Davutoglu beson se lidershipi aktual i Turqisë, mund të përhapë panislamizmin në Lindjen e Mesme. Por vlerësimet e tij nuk bazohen në realitet...ai nuk përpiqet të provojë argumentet e tij, nuk është shkencor, optika e tij nuk është akademike. Ky libër është larg të qenit “i thellë”, në kundështim me titullin: “Thellësia Strategjike”, thotë Kıvanç që shfaq kështu një kritikë për një libër të mbivlerësuar, tezat e të cilit janë provur deri më tani si jo të përputhshme me realitetin e forcave.
http://www.todayszaman.com/monday-talk_davutoglus-book-strat...
s.z
Add new comment