Një Kongres Botëror Gazetash nën patronazhin e....

Pas marrjes së detyrës ka deklaruar vazhdimisht se ai e “çmon dhe e mbron mbi gjithçka lirinë e medias” (mos ju duken të njohura fjali si kjo?) Por pikërisht këtë ëngjëll mbrojtës, në vitin 2010 sindikata e mediave e vendit të tij e shpalli si "armikun numër një të shtypit". Në arsyetim thuhej mes të tjerash se “truprojat e tij janë angazhuar drejtpërdrejt në pengimin dhe kërcënimin e gazetarëve e veç kësaj në televizionin publik nuk lejohet transmetimi i raporteve kritike për të".
Dhe pikërisht në një vend si ky, këtë fundjavë fillon punimet Kongresi Botëror i Gazetave. Organizohet nga WAN IFRA (World Association of Newspapers and News Publishers). Në listën e referuesve janë personalitete të njohura të medias si Michael Golden, zv.president i kompanisë New York Times, apo Rainer Esser, drejtuesi i Shtëpisë Botuese ZEIT. Por në të njëjtën listë listë shihet edhe një emër tjetër: Viktor Janukoviç, presidenti i shumëpërfolur i Ukrainës. Aktiviteti më i rëndësishëm i shtypit botëror këtë vit mbahet në Kiev pikërisht nën patronazhin e tij.
Pranë WAN - organizatore e përvitshme e Kongresit) shumë nga pjesëmarrësit kanë dërguar emaile me pyetjen nëse është një ide e mirë për të organizuar Kongresin Botëror të Gazetave pikërisht në një vend si Ukraina. Shumë ankesa kanë ardhur nga mediat kritike vendase të cilat shtrojnë pyetjen: A nuk do të ishte më e kuptueshme që të bojkotohej kjo ngjarje në mënyrë që presidentit Janukoviç mos t'i ofrohet mundësia për pjesëmarrje në një aktivitet të tillë?
Në pranverën e vitit 2012 një bojkot de-fakto i liderëve të shteteve të ndryshme e detyroi udhëheqjen ukrainase që të anullojë një samit të shteteve të Evropës Qendrore në Jaltë. Gjithashtu, shumë politikanë evropianë të nivelit të lartë e bojkotuan Kampionatin Evropian të Futbollit në qershor në Ukrainë. Ata e bënë këtë në shenjë proteste ndaj cënimit të demokracisë në Ukrainë.
Por WAN e ka theksuar që në fletëpalosjet që shoqërojnë ftesat për në Kiev (disa ftesa kanë mbërritur këto ditë edhe në Tiranë) se jo vetëm nuk ka vend për bojkot, por ky është, përkundrazi, sipas tyre një “shans i mirë për të theksuar rëndësinë e lirisë së shtypit pikërisht në një vend si Ukraina”.
(A.N.)
Për informacione mbi Kongresin Botëror të Gazetave (Kiev, 02.09. - 05.09.2012):
www.wan-ifra.org/kiev2012
Add new comment