Një kandidat më i “famshëm” se Hashim Thaçi!

Postuar në 01 Qershor, 2014 06:49

Elvis Pista është një prej kandidatëve të PDK-së, që për momentin mund të cilësohet si një ndër më të famshmit e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Me shaka, ai vetë e ka shprehur se është bërë edhe më i famshëm se vetë kryeministri dhe kreu i partisë Hashim Thaçi që drejton qeverinë e vendit prej dy mandatesh. Sigurisht, programi që ai prezanton është i njëjtë me atë të kandidatëve të tjerë, por ajo çfarë ka tërhequr më shumë vëmendjen është modeli i tij i flokëve.  Modeli karakteristik i flokëve ka bërë që ai të bëhet hit në internet dhe fotoja e tij është modifikuar masivisht. Vetë kandidati, ka deklaruar se kjo nuk përbën problem për të. Duke folur për “Klan Kosova”, ai është shprehur se e ka marrë me sportivitet atë që po ndodh me imazhin e tij në internet. Në vijim të intervistës, ku sigurisht, një ndër pyetjet ishte për modelin karakteristik të flokëve, ai thotë se këtë model e mban prej 7 vitesh. 

Një detaj interesant i intervistës (shiko: http://www.youtube.com/watch?v=U0OqzXzZ9lI) është edhe fakti se prindërit e tij ia kanë vendosur emrin në nderim të Elvis Presley-t.

Po ashtu, edhe “Telegrafi” sjell detaje (lexo: http://www.telegrafi.com/magazina/humanist-dhe-i-dashur-ne-qytetin-e-tij-ja-ana-e-vertete-e-elvis-pistes-kandidatit-me-frizure-interesante-6-23082.html), duke zbardhur detaje të së shkuarës dhe të tashmes së tij. Pista jeton në Rahovec dhe punon në PTK-në e Kosovës. Banorët e zonës së tij e cilësojnë si njeri të dëshur dhe humanist ndërsa nuk mungojnë as shprehjet e habisë se pse bashkëqytetari i tyre komentohet kaq gjerësisht për modelin e flokëve.

“Ai tash e sa vjet ka punuar në Mitrovicë dhe Prishtinë, por gjithmonë ka jetuar në Rahovec. Por, nuk është vetëm kjo arsyeja pse ka simpatinë e njerëzve këtu, pavarësisht frizurës. Ai njihet si person shumë human, që i ka ndihmuar shumë njerëzve. Ka dërguar për shërim jashtë vendit shumë nevojtarë, e ka ndihmuar shumë familje në nevojë. Madje, ai ka thënë se do të ndajë edhe 20 për qind të pagës së deputetit për fondin personal dedikuar vendit nga vjen. Edhe bashkëpuntorët kanë fjalë të mira për të, si njeri që gjithmonë ka respektuar edhe ata që kanë qenë nën urdhërat e tij. Në PTK gëzon simpatinë e të gjithëve. Vështirë se kjo do të ndikojë në zgjedhje për të”, ka thënë një burim për “Telegrafin”. Duke parë famën e tij, edhe vetë kryeministri e kryetari i partisë Hashim Thaçi nuk ka ngurruar që të bëjë një “selfie” me të për ta publikuar më pas në rrjetin social. Pastaj, vetë Pista e ka shpërndarë foton me kryeministrin, duke u bërë edhe shaka me atë që po ndodh në internet.

“Në vazhdën e axhendave të mia të ngjeshura, gjeta pak kohë edhe për kryeministrin Hashim Thaçi. Ai kërkoi një 'selfie' me mua dhe natyrisht pranova, duke parë se sa i famshëm jam. Por, në kuadër të Misionit të ri po ashtu parashikohet që për çdo 'selfie' me mua, buxheti i Kosovës të pasurohet me nga 1 euro, ndaj edhe vetë “Misioni i Ri” duhet të jetë krenar që më ka mua në përbërje sepse jam gjenerator i zhvillimit ekonomik të Kosovës. P.S: Kryeministër, duhet të ndihesh i nderuar që e bëra 'share' foton tënde, sepse tani jam bërë më i famshëm se ti” ka shkruar Pista, bashkëlidhur me foton e shpërndarë.

Elvis Pista është kandidat për deputet. Është 34 vjeçar dhe është i martuar. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës me një mesatare të lartë, teksa ka vazhduar edhe studimet postdiplomike. Ai është i diplomuar edhe në Administrim Biznesi në Universitetin e Sheffieldit në Selanik të Greqisë. Prej disa vitesh ai është pjesë e PTK-së, ku mban detyrën e Drejtorit Operativ.

n.k

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.