Një hesap elektoral sipas Kurtit, ose një mënyrë interesante për të 'matur' mazhorancën

Albin Kurti ka zhvilluar një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes së tij VetëVendosje (në foto). Dhe aty në përpjekje për të argumentuar mazhorancën aktuale, ka bërë një hesap votash bazuar në numrin e deputetëve që kanë votuar pro dhe kundër një privatizimi të fundit në Kosovë. Tha Kurti në fjalën e tij që është dërguar e plotë sot në ResPublica dhe mund të lexohet në kolonën tonë në të djathtë:
"...Në votimin e së enjtes që shkoi, deputetët që votuan për pezullimin e këtij privatizimi i kishin plot 589.911 vota të qytetarëve ndërsa deputetët që ishin kundër pezullimit të tij i kishin gjithsej 363.693 vota të qytetarëve. Diferenca ndërmjet këtyre numrave është 226.218. Kjo diferencë është më e madhe sesa numri i gjithmbarshëm i votave të PDK-së (224.239 vota) me ç’rast e kemi neglizhuar faktin se sa shumë vota të vjedhura janë pikërisht te ky numri i fundit!"
Kurti e kap edhe me deputetët e minoriteteve (që kanë numër të paracaktuar në parlament pavarësisht numrit të votave): "...Njëkohësisht, në votimin e së enjtes u dëshmua se si ato 20 ulëset e rezervuara për minoritete e hudhin përtokë edhe çfarëdo demokracie minimale. Pra, Plani i Ahtisaarit si një solucion brutal kundër demokracisë praktikisht është vënë në shërbim edhe të privatizimit brutal të Kosovës".
Më pas, kreu i Vetëvendosjes bën një analizë krahasuese të rrethanave politike në Prishtinë dhe përfundimi duket në pamje të parë si "i kundërti" i asaj që po ndodh në Tiranë. Thotë Kurti: "Nëse para një viti dukej se ekzistonte dëshira për ta rrëzuar Qeverinë porse mungonte mundësia për ta bërë këtë, sot ekziston mundësia dhe duhet ta dokumentojmë vullnetin. Pra, tash çështja nuk është se a mundemi ta rrëzojmë këtë Qeveri por a duam ta rrëzojmë këtë Qeveri..." (A.N.)
Add new comment