Një gaz i papërdorur kurrë më parë, arma e re në Siri

Sipas raportimeve të opozitarëve në qytetin sirian, Homs kanë humbur jetën gjashtë kryengritës pas rënies në kontakt me një gaz pa erë e në formë tymi. Ky lloj gazi është përhapur pasi trupat qeveritare kanë hedhur gjatë luftimeve në rrugë disa lëndë plasëse. Sipas burimeve të kryengritësve bëhet fjalë për një gaz të papërdorur kurrë më parë. Kreu i zyrës së vëzhgimit të opozitës siriane, Rami Abdel Rahman i tha agjencisë së lajmeve AFP, "nuk e dimë nëse vërtet është një armë kimike, por nuk dimë gjithashtu nëse ky lloj gazi është i ndaluar apo jo në arenën ndërkombëtare."
Aktivistë të të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dërgojë ekspertë për të ndihmuar të plagosurit dhe të për shqyrtuar situatën. Ata i kanë kërkuar Kryqit të Kuq të dërgojë urgjentisht mjekë në Homs. Pas paralajmërimit të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov drejtuar udhëheqjes siriane për mospërdorimin e armëve kimike dhe cilësimit se kjo do të ishte "vetëvrasje politike" ka reagime nga udhëheqja siriane. Presideni Bashar al-Asad ka bërë të ditur se nuk është urdhëruar përdorimi i armëve kimike. D.W.
Add new comment