Një dokumentar nga zonat e kontrolluara nga ISIS dhe Al Nusra. “Rrëfim” për sundimin e terrorit, infiltrimin e të huajve dhe armët kimike

Postuar në 22 Gusht, 2014 20:32

Një ekip gazetarësh të “Press TV” ka arritur të depërtojë në zonat e luftës në Siri, të kontrolluara nga ISIS, FSA, dhe Al-Nusra. Dhe ndoshta për herë të parë ka përcjellë një rrëfim të ndërtuar qartë mbi strukturat dhe organizimin e grupeve islamike në fjalë, lidhjen që kanë krijuar me popullsinë vendase, arsyet e rritjes politike dhe në fund trajnimin dhe mekanizmat ushtarakë që përdoren për të realizuar qëllime kaq madhore si krijimi i një shteti të ri në një nga zonat më të ndjeshme të globit. Së pari vihet theksi se ISIS dhe Al Nusra i përkasin rrymës salafiste, e njëjta që frymëzonte Al Kaedën. Al Nusra madje është dega e Al Kaedës në Siri, krijuar me luftëtarë veteranë të Afganistanit. ISIS i ka rrënjët në vitin 2006 dhe thirrja e Abu Bakr Al Bagdatit për shkrirje në një organizatë me Al Nusran u bë në prill të vitit 2012. Sipas dëshmive nga militantët që veprojnë në terren, kësaj thirrjeje iu përgjigjën gati 65% e luftëtarëve të Al Nusras. Al Bagdati duket se fitoi pikë në stabilizimin e frontit në Siri, çka i dha krahë për të rritur autoritetin. Aktualisht, mes të dyja grupeve ka një gjendje të nderë që sipas gazetarëve në fjalë mund të çojë në një konflikt të vërtetë. Ndërkohë që kalimi i ISIS në Irak duket se i ka dhënë një shfryrje për momentin fërkimeve mes të dyja grupeve. Interesi më i madh shkon për ISIS meqë është aktualisht organizata që po përhap terror, madje e ka kthyer terrorin në strategji. Në fakt kjo është njëra pjesë e asaj që ndodh realisht. “Në fillim ISIS tregoi vetëm fytyrën e mirë. I bënë njerëzit të besonin se nuk ishin radikalë dhe ata vetëm po përhapeshin Zotit. Kështu që njerëzit filluan të martonin vajzat e tyre me luftëtarë të huaj”, prononcohet një ish-luftëtar. Sipas po këtij dëshmitari Abu Bakr Al Bagdati është saudit,  çka vë në dyshim serioz idenë e përhapur para disa kohësh se kemi të bëjmë me një izraelit të infiltruar. Përtej prerjeve të kokave dhe dhunës ekstreme, diçka tjetër duket se po zhvillohet nga ISIS në terren. Së pari, nga një filmim direkt ku jepen drejtues të organizatës, vihet re dhe konstatohet se shumë prej tyre janë njerëz të shkolluar për teologji, ata flasin arabishten klasike, kanë memorizuar pjesë të gjera të Kuranit dhe mbi të gjitha “kanë shumë para”. Në zonat e lira të organizatës ndiqet një politikë e vërtetë që kombinon aspektin social me atë ideologjik. Në Halep p.sh 75% e popullsisë furnizoheshin me bukë nga ISIS, ndërkohë që ka të ngritur një sistem ku mund të blihet vetëm me kartë identiteti. Në zona të tjera aplikohet shpërndarja e ushqimeve për të varfërit, ose të prekurit nga lufta, por duke e ruajtur shpërndarjen e ushqimeve si monopol. Një aspekt tjetër është përpunimi intensiv i fiseve në Siri, duke shfrytëzuar larminë e madhe brenda popullsisë së vendit. Shumë prej fiseve afrohen në një aleancë sa fetare aq edhe pragmatiste, por që duket se me t’u realizuar nuk ka kthim mbrapa. “Betohem për aleancë me komandantin e besimtarëve/Abu Bakr al-Quraishi/të jem besnik dhe i bindur/në të mirë dhë në të keq/dhe të përhap besimin e Allahut/të luftoj kundër armiqve të Allahut/ për krijimin e një shteti islamik/dhe të luftoj për ta mbrojtur atë/Allahu është dëshmitari im”, është betimi që bëhet në kësi rastesh. Dhuna e ISIS në terren ka qenë graduale, jo dhunë për hir të dhunës, por me shtimin e problemeve dhe me zgjerimin e influencës vendosmëria për të kaluar në veprime ekstreme është tanimë një realitet i njohur gjerësisht. Procesi i rekruitimit është po ashtu risi plotësuese në strategjinë e luftës. “Konflikti sirian ka qenë konflikti më i mediatizuar në rrjetet sociale sociale dhe ISIS diti sesi të përfitonte nga kjo që të rekrutonte luftëtarë”, thuhet në dokumentar. Në finale, por jo pa rëndësi, është fakti se aty ku organizatat sundojnë, kanë instaluar menjëherë legjislacion të ri, duke eliminuar çdo gjurmë të legjislacionit të kaluar. “Është një përpjekje për të tjetërsuar strukturën sociale të Sirisë”, përcjellin idenë e tyre gazetarët e “Press TV”.

Kur vjen puna për infiltrimin e të huajve në konflikt, dokumentari përcjell dy momente që kërkojnë vëmendje të madhe: së pari është publikimi në të i një dokumenti top-secret, një memo e Ministrisë së Brendshme të Arabisë Saudite ku flitet për trajnimin e rreth 1100 të dënuarve për trafik droge, vrasje apo përdhunim, që sipas Sheriatit do të duhet të ekzekutoheshin. Shërbimi sekret saudit referon se ka rënë dakord me të dënuarit që t’i rehabilitojë, t’i trajnojë dhe t’u lidhë familjeve një rrogë të përmujashme në këmbim të pjesëmarrjes së tyre në xhihad në Siri. Lista ka këtë përmbajtje: “21 palestinezë, 212 sauditë, 96 sudanezë, 254 sirianë, 82 jordanezë, 68 somalezë, 32 afganë, 194 egjiptianë, 203 pakistanezë, 23 irakenë dhe 44 kuvajtianë”. Po kështu elementi saudit del edhe gjatë kontakit në mjediset e Al Nusras ku flamuri i Mbretërisë është i pranishëm. Duhet thënë se dy mbretëritë e gjirit, Katari dhe Arabia Saudite janë akuzuar gjerësisht edhe për financime të mëdha në destabilizimin e vendeve të Afrikës Veriore.

Momenti i dytë lidhet me përdorimin e armëve kimike. Dokumentari jep pamje filmike të një ish-gjenerali amerikan, Paul E. Vallely,  në shoqëri të drejtuesve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare Siriane, i cili ndodhet në kufirin turko-sirian. Vallely është figurë jo pa peshë, dhe më e rëndësishme, jo pa lidhje politike(http://en.wikipedia.org/wiki/Paul_E._Vallely#Jerusalem_Summit_organization). Në këtë pikë gazetarët kanë bërë një vëzhgim, por pa shtuar më tej komente. “Vallely hyri në Siri më 21 gusht 2013. Një ditë më vonë ndodhi sulmi me armët kimike”, thuhet në dokumentar në formën e një “koincidence interesante”. Po kështu për armët kimike jepen edhe dy hollësi shumë të rëndësishme, përveç pamjeve filmike të lëshimit të tyre në terren. Së pari fakti se në dhjetor 2012, misioni i OKB-së pranoi që opozitarët kishin përdorur sarin ndaj civilëve, çka me siguri e kanë patur në dispozicion më herët dhe së dyti, që furnizues, madje porositës i gazeve helmues dhe mekanizmave aktivizues, ka qenë Katari. Për ta faktuar këtë sillen si provë materialet konfidenciale të “BRITAM”, kompani kontraktore e Ministrisë së Mbrojtjes Britanike, serverat e së cilës u hakeruan në fillim të vitit 2013. Aty rezultonte ndër të tjera një email që daton më 24 dhjetor 2012, që drejtori i Zhvillimit të “BRITAM” David Goulding, i drejtonte kolegut të vet, Philip Doughty, e ku flitet për një ofertë që vjen nga Katari, përmes së cilës i kërkohej firmës që “të dorëzojë në Homs armë kimike të prodhimit sovjetik, identike me ato të Libisë. Dhe se për këtë “ka aprovimin nga Washingtoni”. Ata duan që ne të stacionojmë personelin tonë ukrainas që duhet të flasë rusisht dhe të bëjë një video”. Një akuzë e rëndë, e cila e vendos edhe Perëndimin përballë përgjegjësive jo të pakta, por jep me këtë rast edhe një të dhënë më sqaruese për lojën e madhe të armëve kimike të Bashar Al Assadit, që me sa duket u asgjësuan me paratë e Perëndimit, edhe pse nuk ishin përdorur ndoshta asnjëherë.

Në fund do nënvizuar se “Press TV” është një televizion iranian në gjuhën angleze, çka shpjegon ndoshta edhe penetrimin në zonat e grupeve militante, por dokumentari është vënë në dispozicion edhe nga media britanike “Live Leak”.

http://www.liveleak.com/view?i=7f7_1408633204

s.z  

Comments

Submitted by Artur Duka (not verified) on

<p>Ky TV jepte lajme per kete grupim terrorist qysh 3 vjet me pare, kur ata konsideroheshin si luftetaret e lirise nga Perendimi.<span style="font-size: 1.2em; line-height: 1.7em;">&quot;PRESS TV&quot; mund ta shihni direkt online. Ky kalim online ndodhi pasi vendet perendimore shkeputen sinjalet satelitore te ketij kanali kur pasqyronte masakrat e parafundit te ushtrise izraelite ne Gaza. &quot;Press TV&quot; shpreh opinione/argumenta kunder rregjimit sionist, qe ne perendim njerezit nuk duhet t&#39;i dine.</span></p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.