Një biznesmen grek ‘me probleme e pretendime’ në zyrën e Berishës

Postuar në 28 Gusht, 2012 11:08

Porti i Vlorës, shumë miniera të vendit dhe pasuri të tjera publike rrezikojnë të përfundojnë në duart e një biznesmeni të dënuar për mashtrim. Bëhet fjalë për investimet që parashikon të kryejë në Shqipëri kompania greke DEMCO. Presidenti i saj, Dimitri Contominas, është dënuar në Greqi, dy vite më parë për falsifikim dhe përvetësim si edhe është i lidhur me shumë çështje korruptive në Greqi dhe Maqedoni.

Por pavarësisht kësaj, gjatë takimit kryeministri shqiptar ka garantuar grupin DEMCO që projektet e tyre do të gjejnë mbështetjen e plotë të gjithanshme institucionale dhe ligjore të qeverisë së tij dhe bashkëpunimi për suksesin  e tyre do të jetë i vazhdueshëm dhe i garantuar.

Takimi

Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha ka pritur sot në një takim një grup investitorësh të kompanisë greke DEMCO, të kryesuar nga presidenti i saj, Dimitri Contominas, e cila vepron si operuese dhe financuese në shumë fusha.

Presidenti i saj, Dimitri Contominas, është shprehur se ka në plan të investojë në Shqipëri në fushën e transportit dhe konkretisht tek portet. 

Contominas ka veçuar konkretisht portin e Vlorës, për të cilin u shpreh se është një projekt me rëndësi strategjike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Gjithashtu, presidenti i DEMCO tha se edhe fusha e energjisë së rinovueshme është shumë tërheqëse për portofolin e investimeve te kësaj kompanie.

Sipas Contominas-it nga zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe nga studimet dhe vlerësimet e kompanive konsulentë ndërkombëtare, DEMCO po studion mundësinë e investimit në fushën e minierave. “Sjellja e ekonomisë suaj dhe rezultat e arritura na kanë bërë të drejtohemi për të zhvilluar projektet tona në këto fusha të rëndësishme”, tha ai.

Kush është Contominas?

Dhimitris Contominas, investitori grek që kërkon të investojë në portin e Vlorës, rezulton se është i përfshirë në një sërë skandalesh në Greqi. Dy vjet më parë, drejtësia greke i kishte hequr të drejtën për të dalë jashtë Greqisë për shkak se ishte dënuar me akuzën e falsifikimeve dhe përvetësimeve. Ai ende vuan një dënim të tillë por i është lejuar të dalë jashtë territorit grek duke lënë një garanci prej 300 mijë eurosh.

Në Greqi ai konsiderohet si biznesmen misterioz rreth të cilit qëndrojnë mjaft pikëpyetje. "Transparency International - Macedonia", pretendon se miliarderi grek është i përfshirë në skandalin korruptiv të “Deutsche Telekom”. Kjo për shkak të pagesave të pa deklaruara ndaj politikanëve në Shkup për blerjen e "Macedonian Telecom". Çështja në fund u mbyll pa u provuar. 

Marrëdhëniet e tij me politikanët grekë gjithashtu mbetet enigmatike. Shumë media kanë raportuar për lidhjen e tij me Demokracinë e Re pavarësisht se në fillimet e tij ai kishte lidhje të fortë me PASOK-un.

Marrëdhëniet e tij të mira me Demokracinë e Re u prishën për shkak të skandalit të televizionit të tij “Alpha” me kishën lidhur me tokën “Vatopedi” që trondit dhe themelet e qeverisë së Kosta Karamanlisit. Për këtë arsye Kisha greke nuk e deklaron atë të shenjtë.

Marrë pjesërisht nga Shekulli online

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.