Një autobiografi e Mark Shagallit, dhe Gaz Leka që rrëfen “njohjen” me të

Postuar në 16 Korrik, 2012 14:23

Mark Shagall (Marc Chagall, në anglisht) është një nga artistët më të mëdhenj të shekullit të XX. Ka vdekur tani vonë (1985) e ka jetuar gjatë, gati 100 vjet, por librin e tij autobiografik Jeta Ime e ka shkruar paradoksalisht kur ish 35 vjeç. Ky libër është përkthyer dhe botuar këto ditë në gjuhën shqipe, gjë që është parë si një ngjarje nga shumë gazeta të sotme. Mapo kish intervistuar me këtë rast piktorin tonë Gazmend Lekën, i cili ka rrëfyer dhe një përvojë personale të “takimit” të parë me Mark Shagallin.

Leka e fillon duke folur për rrethanat, kur i bie në dorë një libër i mirë për t’u lexuar. “Shpeshherë më ndodh që kur ndjej se kam diçka të mirë, stepem dhe e lë pak të stazhonohet…. Kështu më ndodhi dhe me Shagallin, edhe pse nuk durova të prisja gjatë. E kisha mbi tavolinë, kur erdhi momenti që mora ta lexoj. Ishte darkë dhe nuk e lëshova nga dora derisa e mbylla librin”, thotë ai në fillim të intervistës.

Dhe më pas tregon se si është njohur me Shagallin: “[Shagallin] për herë të parë e kam ‘takuar’ në Liceun Artistik Jordan Misja. Ishte viti 1972 dhe ndjehej një frymë liberale. Asokohe filluan të qarkullonin disa libra fshehurazi. Ishim në orën e fiskulturës me profesor Asllan Rusin. Ai ishte një sportist që e donte shumë pikturën. I thamë se duam të shohim një libër që na e kishte sjellë një shok, dhe ai na la pushim. U ulëm në një cep të shkollës dhe filluam të shfletonim librin. Për herë të parë ne ramë në kontakt me Shagallin. Pikturat e tij na dukeshin shumë të çuditshme. Figurat e tij na dukeshin si pa gravitet, si çifti që fluturonte, apo violinisti me gjashtë gishta. Ato ishin piktura që nuk i përkisnin realitetit një me një. Ato ishin piktura prej shpirti dhe jo prej mishi.”

Intervistën e plotë të Gaz Lekës mund ta lexoni në linkun: http://www.mapo.al/2012/07/16/gazmend-leka-njohja-me-shagall-ne-vitin-72-dhe-ndikimi-tek-artistet-shqiptare/

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.