Nishani dhe Rama inkurajojnë Elisabeta Gjonin në detyrën e Guvernatores: “Nuk do preket stabiliteti financiar i Bankës së Shqipërisë”

Postuar në 07 Shtator, 2014 14:08

Presidenti Bujar Nishani ka zhvilluar pasditen e së shtunës një takim edhe me të komanduarën si Guvernatore prej Këshillit Mbikqyrës, zonjen Elizabeta Gjoni. Gjatë takimit në Presidencë, Nishani teksa i ka vënë në dukje zonjës Gjoni rëndësinë e detyrës së re dhe i ka garantuar mbështetjen institucionale për përmbushjen me rigorozitet të të gjitha përgjegjësive. “Presidenti shprehu bindjen se në bashkëpunim me Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe të tjerave institucione financiare të vendit dhe ndërkombëtare, do të përballohet situata e krijuar dhe nuk do preket kurrsesi stabiliteti financiar i Bankës së Shqipërisë dhe i vendit në përgjithësi” thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës. Po sipas njoftimit, “gjatë bisedës me Guvernatoren në detyrë, mes tjerash, Presidenti Bujar Nishani vuri theksin gjithashtu mbi seriozitetin, përgjegjësinë, zbatimin e standardeve të larta profesionale, dhe pavarësinë institucionale, si kushte themelore për një besim të qëndrueshëm të qytetarëve ndaj stabilitetit financiar të garantuar dhe zhvillimit ekonomik normal të vendit”. Më herët gjatë ditës Gjoni pati dhe një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili i shprehu Guvernatores së komanduar qëndrimin e qeverisë në mbështetje të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë.

L.V

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.