Nis cirku me ligjin në KQZ

E thërrasin një mbledhje të KQZ dy anëtarë të saj? Ligji thotë po. Por bishta ka sa të duash (nëse do të gjesh bishta). Një mbledhje e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e planifikuar për t’u mbajtur pasditen e sotme, është shtyrë. Mbledhja ishte thirrur për sot nga dy anëtarët e PS-së. Kodin Zgjedhor dhe Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së thotë që mbledhja mund të thirret nëse dy anëtarë e kërkojnë një gjë të tillë. Por... Kreu i KQZ Lefterie Lleshi thotë që punët janë ndryshe. Në një deklaratë për media lidhur me arsyet e mosmbajtjes së kësja mbledhje megjithëse e kërkuar nga 2 anëtarë të KQZ (Albana Shtylla e Denar Biba), shkruhet:
“Në nenin 22 të Kodit Zgjedhor është përcaktuar se mbledhjet e Komisionit mund të thirren nga kryetari ose të paktën dy anëtarë të tij. Në zbatim të kësaj dispozite dy anëtarë të KQZ-së kanë ushtruar të drejtën për të thirrur mbledhjen duke përcaktuar njëkohësisht edhe rendin e ditës. Referuar nenit të sipërcituar dhe Rregullores për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së, konstatojmë se edhe pse e drejta e dy anëtarëve për të thirrur mbledhjen e KQZ-së është një e drejtë e ligjshme, kjo kërkesë duhet të ndjekë procedurën e parashikuar në nenin 19 pika 2, 3 dhe 4 të Rregullores së KQZ-së.. Në rregulloren e KQZ-së është parashikuar që, kur kërkesa për thirrjen e mbledhjes bëhet nga dy anëtarë, materialet e mbledhjes i dërgohen Drejtorive përkatëse për plotësime dhe rregullime të karakterit formal dhe në çdo rast i dërgohen Drejtorisë Juridike. Sekretari dhe Drejtoritë përkatëse pas marrjes së kësaj kërkese dhe shqyrtimit të materialeve, duhet të japin përgjigje jo më vonë se tre ditë nga marrja e tyre. Pas përmbushjes së kësaj procedure, thirrësit e mbledhjes nënshkruajnë relacionin dhe ia dërgojnë materialet përkatëse për rendin e ditës Sekretarit të Përgjithshëm së bashku me aktin e thirrjes së mbledhjes...” etj.
Një ditë më parë nënkryetari i KQZ, Denar Biba lajmëroi thirrjen e mbledhjes për ditën e sotme. Temë kryesore e kësaj mbledhje pritej të ishte nisja e procedurave për projektet e teknologjisë për zgjedhjet 2013, si dhe emërimi i auditeve të KQZ pranë Ministrisë së Brendshme. Burime të ResPublica-s bëjnë me dije se KQZ i ka tejkaluar të gjitha afatet për procedurat e aplikimit të teknologjisë së re në 2013-s dhe kjo gjë po shkon drejt dështimit të plotë. (a.th.)
Add new comment