Nikolaos Chountis, nesër në Shqipëri si zv.ministër i Jashtëm i Greqisë

Zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolaos Chountis, do të zhvillojë një vizitë dyditore (23- 24 Shkurt) në Tiranë, ku do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të SEECP (Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore).
Gjatë qëndrimit të tij, sipas njoftimit që ka shpërndarë për mediat ambasada greke në Tiranë, ai do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të shtetit shqiptar. Të hënën numri 2 i diplomacisë greke do të takohet me Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, me kreun e opozitës dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe do të marrë pjesë ne një darkë pune, e cila organizohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Ditën e martë më 24 Shkurt, ai do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të SEECP. Në vazhdim, do të zhvillojë takime të njëpasnjëshme me Ministren e Integrimit Europian të Shqipërisë, Klajda Gjosha dhe me Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Ai gjithashtu, do të jetë i pranishëm në pritjen që do të organizojë partia e PBDNJ-së me rastin e përvjetorit të 23-të të themelimit të saj.
Mediat në Tiranë raportojnë se devijimi i mundshëm i lumit Vjosa, por edhe disa problematika që janë mes Greqisë dhe Shqipërisë, do të jenë në fokus të diskutimeve gjatë vizitës dyditore. Kjo nuk është hera e parë që Chountis vjen në Shqipëri. Më herët ai ka qenë në Shqipëri në cilësinë e raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian.
n.k
Add new comment