Nichi Vendola: Dua të martohem; Por Italia duket se s’është gati për martesat mes gay-ve

Postuar në 05 Shtator, 2012 11:45

Nichi Vendola është guvernatori i rajonit të Puglias, Itali. Është 54 vjeç. Ka një parti të vetën, që rri më majtas se sa Partia Demokratike, me të cilën ndodhet më afër e me të cilën mund të mendohet një koalicion i mundshëm elektoral apo qeverisës. Është një politikan që bie në sy për mënyrën se si e kupton politikën, por bie në sy edhe për diçka tjetër. Ai është gay.

Pikërisht sot, lidhur me këtë, ai deklaroi. “Dua të martohem me njeriun që unë dua. Kërkoj që kjo gjë të bëhet e mundur dhe në Itali. Si person dhe si i krishterë dua që lidhur me këtë çështje të bëhet një debat i gjallë dhe i njëmendtë, dhe dua t’i pyes shtetin tim dhe kishën time për ç’dreq motivi mesjetar u dashka të mos finalizohet një projekt dashurie mes dy vetëve.”

Por në Partinë Demokratike nuk janë të gjithë dakord. Madje, edhe Rosy Bindi, një grua mendjehapur, eksponente e kësaj partie, u shpreh se “njohja e të drejtave të gay-ve nuk mund të vihet më në diskutim, por martesa mes gay-ve është diçka, me të cilën s’mund të bie dakord”. Ajo la të nënkuptohej se në Itali nuk është e lehtë të merret një vendim i tillë.

Përgjigjja e Vendola-s erdhi e menjëhershme: [Vështirësia e pretenduar italiane për të njohur të drejtën e gay-ve për t’u martuar mes tyre] na bën të dukemi si një republikë islamike. Obama është ok me martesat mes gay-ve, Cameron-i është ok, gjithashtu. Me ata nuk çuditeni, me mua po. Unë dua të drejta të plota; nuk dua gjysmë të drejtash.”

E.G.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.