Ngjarje të një bote tjetër: një duel australian mes kreut të qeverisë e kreut të opozitës

Postuar në 12 Tetor, 2012 03:57

Julia Gillard, 51 vjeç, është e para grua në historinë australiane që është zgjedhur kryeministre, në vitin 2010. Ajo është laburiste (kryetare e partisë laburiste, më saktë), është ateiste, ka një të dashur, nuk është e martuar, nuk ka ndërmend të martohet, dhe nuk ka fëmijë.

Përballë saj, si leader i opozitës është Tony Abbott (në foton që shoqëron këtë shënim janë ata të dy). Dhe janë të ndryshëm në gjithçka, pasi Abbott është dalluar për qëndrime seksiste e maskiliste, u ka dërguar mesazhe politike “shtëpiakeve që hekurosin, por që prapëseprapë mund të kuptojnë nga politika”, ka ngritur si me pafajësi në një rast pyetjen, se a “është e gabuar që gratë të drejtojnë një vend të caktuar?”, ka folur kundër abortit me një gjuhë të pagdhendur, i ka kërkuar kryeministres Gillard që të bëhet më në fund “një grua e ndershme dhe të martohet”, e në një rrethanë ka pozuar pranë një manifesti të të tjerëve, ku Gillard krahasohej me një buçe.

Mund të merret me mend se ç’do të thotë një ballafaqim mes të dyve. Është një ballafaqim mes dy botëve paralele. Por së fundmi dueli ka qenë pazakonshmërisht i fortë, dhe me role gati të ndërruara. E gjitha ka lidhje me ish-kreun e parlamentit (dha dorëheqjen para dy ditësh), që është laburist gjithashtu, të cilit i janë bërë publike një numër sms-sh, që ky ia ka dërguar një ish vartësi të tij gay. Ky i fundit pretendon se vardisja me sms ka qenë e papranueshme, shkurt një “sexual harassment”. Nga sms-të e publikuara dalin dhe yçkla të tjera të natyrës politike.

Abbott e ka shfrytëzuar këtë rast, dhe ka kërkuar hetim parlamentar e jo parlamentar për ngacmimet seksuale e për qasjen mizogjinike të laburistit të pushtetshëm, por Gillard-it i ka rënë keq në stomak ky pozicionim i kundërshtarit të saj. “Abbott ka ngritur një kryqëzatë të tërë kundër kreut të parlamentit me idenë se ai ka përbuzur gratë në një numër sms-sh (në do sms ka folur me përbuzje për organin gjenital femëror. Re.Pu), por nëse ai don të shikojë se ç’fytyrë ka mizogjinia në Australinë e sotme nuk ka nevojë të hedhë sytë nga kreu i parlamentit, por mjafton të shihet vetë në pasqyrë”, është shprehur ajo në një fjalim prej 15 minutësh në parlament, duke pasur përballë atë, Abbott-in. Ligjërimi i Xhulietës së kuqe (kështu e quajnë) ka qenë i ashpër, me një gjuhë burrërore, me një gjestikulacion force, dhe në fund, e vetëdijshme për këtë, i është drejtuar kundërshtarit: “Ti mendon se një grua nuk mund të flasë kështu si flas unë? Gabohesh”.

Ndërhyrja e saj ka qenë aq “virile” sa periodiku amerikan New Yroker i ka sugjeruar Obama-s të shkojë në Youtube, të kërkojë fjalimin e Gillard-it në parlament, e të mësojë nga stili i saj se si bëhet një debat.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.