Ngjarje e errët në një ministri të errët

Postuar në 30 Nëntor, 2012 04:24

Shtypi i ditës ka dhënë sot detaje të ndryshme lidhur me vdekjen e një oficeri brenda zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes. E përditshmja DITA është përqëndruar te detyrat që ka kryer ushtaraku në fjalë dhe rezulton se ai ka mbuluar disa detyra të rëndësishme që kanë lidhje me informacionin në këtë ministri të akuzuar muajt e fundit për përgjime të paligjshme dhe për afera me armët, por që refuzon kontrollin parlamentar.

"Deri tre muaj më parë Tare ka punuar në sektorin e ndërlidhjes që është edhe sektori nën akuzë për përgjimet e 21 janarit, kurse para tre muajsh është emëruar në detyrën e shefit të Ekspeditës që është sektori që mbulon lëvizjet dhe transferimet e urdhërave dhe dokumentacionit përfshirë korrespodencën sekrete të vetë ministrit Imami" - shkruan DITA, në të cilën gjendet edhe dëshmia e një kolegu të viktimës i cili thotë: "Nuk u dëgjua asgjë sepse ndodhi në kohën që shpërthyen fishekzjarret e 28 nëntorit në Tiranë. Na thanë që u vetëvra me armën e një kolegu dhe këtë e kishte marë nga kasaforta e tij pasi e kishte shqyer. Informacionet e para publike u autorizuan 12 orë pas ngjarjes".

Kurse e përditshmja Panorama ka intervistuar vjehrrën e viktimës që thotë se viktima ishte i mërzitur nga problemet që kishte me policinë tatimore në një aktivitet privat (market ushqimor). E përditshmja MAPO thotë se viktima është lidhur në drekë në telefon me gruan dhe ka qenë mëse i qetë, por rreth orës 16.00 asaj i ka ardhur një telefonatë me fjalët "amanet fëmijët".

Versioni zyrtar është vetëvrasje në kushte depresioni, version ky i dhënë edhe më parë për një oficer të SHIU-t që më pas u vu në dyshim pas grafive që dëshmonin goditje në kokë. Edhe në atë rast u dha garanci për versionin e vetëvrasjes duke u thënë se viktima kishte telefonuar familjen. Cilado qoftë e vërteta, mbetet një ngjarje e errët. Në një ministri të errët. (Ne.Su)

 

Comments

Submitted by drini (not verified) on

<p>paska qene me me fat se trebicka ky i shkreti. te pakten nuk u lodh te shkonte diku ne ndonje mal</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.