Nga ‘i preferuari i Bashës’ te ‘këshilltarja e Topallit’: CV-të e 4 kandidatëve për kryetar të KQZ

Katër kandidatët për kryetar të KQZ-së, Marsida Xhaferllari, Endrit Reka, Lefteri Lleshi dhe Haki Mustafa morën sot mbështetjen e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve. Opozita kundërshtoi dy kandidatët Endrit Reka dhe Haki Mustafa. Socialistët thanë se të parit i mungon përvoja dhe i dyti mban ende teserën e PD. Por, për mazhorancën, deklaratat e opozitës janë tregues i frymës së bllokimit, etj. Katër kandidatët më sipër morën nga 14 vota. Dy kandidatët e tjerë morën mbështetjen e deputetëve të opozitës, por pa mundur të kualifikohen për në fazën tjetër, atë të votimit për në seancë. Sajmir Visha dhe Kristaq Kume mundën të sigurojnë vetëm 9 votat e deputetëve të majtë.
Reporterët politikë të shtypit citojnë burime nga mazhoranca sipas të cilave gara e fortë po zhvillohet midis Endrit Rekës, që ka mbështetjen e Lulzim Bashës, dhe Lefteri Lleshit, këshilltares së kryeparlamentares Jozefina Topalli.
Më poshtë, një CV e shkurtuar e 4 kandidatëve, për të cilët do flitet gjerësisht në shtypin e nesërm:
Mustafa
Pas zgjedhjeve të 8 majit u zgjodh kryetar i Njësisë nr. 11. Opozita e cilëson të papërshtatshme kandidaturën e tij, për shkak të detyrës që ushtron dhe dyshimit se disponon ende teserën e PD-së.
Reka
Kandidati Endrit Reka ka punuar nga viti 1998-2000 si përkthyes për Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale të Shqipërisë, në Ankara, Turqi. Reka ka punuar pranë misionit të Kombeve të Bashkuara (OKB) si përkthyes ndërkombëtar. Nga qershori 2010 dhe në vazhdim Reka është Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit CIVITAS-Albania.
Xhaferllari
Xhaferllari prej muajit Shtator 2008 dhe aktualisht punon si Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Dhjetor 2007 Shtator 2008, Xhaferllari ka qenë këshilltare e Ministrit të Drejtësisë. Prej muajit Tetor 1999 deri në Dhjetor 2007 Xhaferllari ka qenë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Lleshi
Ka përfunduar Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Aktualisht është anëtare e KLD dhe Drejtore në Shërbimin Juridik pranë Kuvendit të Shqipërisë. Lleshi u shpreh se gjatë viteve 1992-2000 ka punuar në Shërbimin Informativ Kombëtar, Juriste, në Drejtorinë Qëndrore. Detyrën e Drejtores në Shërbimin Juridik pranë Kuvendit të Shqipërisë e mban prej vitin 2007 e në vazhdim. - A.N.
Foto: Kandidati Haki Mustafa, duke folur sot në Komisionin Parlamentar të Ligjeve
Add new comment