Nesër, mbledhja e qeverisë në Vlorë. "Kjo ishte festa, kjo ishte historia" - thotë kryebashkiaku i qytetit

Mbledhja që pritet të organizojë nesër (4 dhjetor) qeveria në Vlorë nuk ka kaluar pa vëmendjen e kreut të bashkisë së këtij qyteti, Shpëtim Gjika. Këtë vendim të ekzekutivit shqiptar Gjika e ka quajtur një veprim butaforik. "Kjo ishte festa, kjo ishte historia. Ajo nuk mund të krahasohet me asgjë. As me veprimet butaforike të atyre që organizojnë mbledhje qeverish e qeveritarësh në Shtëpinë e Pavarësisë", - vuri në dukje Gjika, gjatë një komunikimi me mediat lokale sot në Vlorë.
Tha Gjika: "Me 28 Nëntorin e 2012-ës, ne treguam madhështinë tonë. Ne treguam se dimë të jemi krenarë me historinë, dimë të jemi krenarë me veten dhe dinjitetin tonë, ne dimë të jemi krenarë për paraardhësit tanë, për babanë e kombit, për Ismail Qemal Bej Vlorën dhe shokët e tij të idealit, ne dimë të jemi krenarë me ditëlindjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, që nisi këtu, në Vlorën tonë, në Vlorën e shqiptarizmit".
Madje, në gjykimin e tij, u sajuan ngjarje e dokumente për të eklipsuar Vlorën dhe historinë e saj. “Pavarësisht të gjitha përpjekjeve Vlora e 28 nëntorit të vitit 2012, dëshmoi se asgjë dhe askush nuk mund të na lëkundë besimin tek të vërtetat tona. Vlora ka qenë dhe mbetet kryeqyteti i Pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve", - citohet Gjika. Re.Pu.
Add new comment