"Ne, plehrat..."

Postuar në 17 Shtator, 2012 13:19

“Ne, plehrat, aspak krenarë dhe krejtësisht të pavetëdijshëm për historinë tonë, me papërgjegjësi për të ardhmen, me besim tek askush dhe/ose tek asnjë vlerë universale, me vendosmërinë për të shkatërruar çdo gjë, përfshirë shtetin e së drejtës; anarkikë, antisocialë dhe me frymën e mostolerancës dhe të luftës ndaj të gjithëve kundër të gjithëve…”.
Fjalët më sipër janë shkëputur nga një instalacion akuzues që quhet “Kushtetuta e Republikës së Plehrave”. Gjendet prej fundjavës në dy kuadrate të katit të dytë të galerisë “Zenit” këtu në Tiranë. I përket një artisti të ardhur këto ditët e fundit në kryeqytet nga SHBA-të ku ka emigruar që në fillimin e viteve’90 dhe tashmë bën skenografin. Quhet Andis Gjoni. Ekspozita e tij provokuese, ka ndjellë interesin e disa medieve që kanë veçuar dhe botuar instilacione të ndryshme prej punës së tij. (“Shqipi” i së dielës përshembull kishte foton e një femre gjysëm-lakuriq me një armë të vjetër në duar e cila kishte të stampuara në trup simbolet e krishterimit, islamizmit e judaizmit, kurse “Shekulli” i sotëm kishte një portret të Gjonit).
Veprat e tjera të ekspozitës janë thuajse të gjitha “gjetje”: mbeturina ndërtimesh, hekura, një palë këpucë, pije alkoolike, gazeta, kopertinë erotike, euro, dollarë, pasaportë (për artistin janë objekte të një tranzicioni të përhershëm) më tej një arkivol i mbushur me mollë, pastaj një pjatë ku “ushqimi” janë pistoletat, fishekët, granatat (në foto). Pjesë e ekspozitës janë edhe një numër afishesh të mëdha të vendosura në rrugët kryesore të Tiranës. Në to shkruhet: “Lexoni Libra”, “Shkoni në Teatër”, “Shkoni në Opera”, “Shkoni në Balet”, “Evoluoni”.
Citohet Gjoni për “Kushtetutën e Republikës së Plehrave” (një imitim në format dhe në ngjyrë i kushtetutës së shtetit shqiptar): “Fillesën për realizimin e kësaj kushtetute e kam marrë nga një realitet në të cilin importimi i plehrave bëhet prioritet shtetëror në kurriz të gjithçkaje dhe gjithkujt. Kështu mora kushtetutën dhe fillova të ndryshoj fjalët brenda saj. Në fund kuptova se kjo kushtetutë i përshtatet edhe vendit tim, më shumë sesa ajo letër, e cila nuk zbatohet...”.

Më shumë:
http://gazeta-shqip.com/lajme/2012/09/16/andis-gjoni-nje-fem...
dhe:
http://shekulli.com.al/web/p.php?id=4390&kat=108

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.