Ndahet nga jeta “mjedologu” Mentor Quku

Postuar në 01 Qershor, 2014 01:18

Është shuar dje në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës, studiuesi i njohur Mentor Quku. Sipas “Gazetës Shqiptare” profesori u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare në shtëpinë e tij, pasi vuajti për një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë. Ai njihet si mjedolog, për shkak se ia ka kushtuar gjithë jetën e tij studimit të veprës së poetit Ndre Mjeda.  

“Mjedisi intelektual i qytetit të Shkodrës, si edhe mbarë komuniteti i studiuesve të letërsisë shqipe, e kanë vlerësuar dhe e çmojnë në mënyrë të veçantë kontributin e Mentor Qukut, puna e të cilit tashmë shërben si referencë e pazëvendësueshme për studimet shqiptare, e në veçanti për studimet mbi Ndre Mjedën dhe mbi veprën e tij. Këtë e dëshmon, së fundi, edhe botimi i numrit të parë të revistës studimore “Mjedologji”, e cila përmban njëzet punime mbi Ndre Mjedën nga studiues të konfirmuar të të gjitha trojeve shqiptare dhe i kushtohet mjedologut Mentor Quku”shkruhet në artikull.

Për kontributin e tij, Z. Mentor Quku është vlerësuar me medaljen “Mësues i Merituar” (1991) dhe “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” (2011)”. I lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939, ai qe arsimuar në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër (1951-1954), kurse studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë (1955-1957) dhe pastaj në Universitetin e Tiranës (1960-1963). Si drejtor i Muzeut Historik Shkodër (1992-2000), ai ka organizuar, drejtuar dhe botuar, gjashtë seminare ndërkombëtare me titull “Shkodran në shekuj”, si dhe ka drejtuar revistën “Kumtari”.

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.