Ndërpritet raportimi mbi bisedimet Kosovë - Serbi

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ndërpreu fjalën e tij para deputetëve të Parlamentit, pasi që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje nëpërmjet një veprimi simbolik, shprehën kundërshtimin ndaj bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në kohën kur kryeministri Thaçi, mori fjalën për të raportuar mbi rrjedhën e bisedimeve, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, dolën para deputetëve të Parlamentit me një pankartë me mbishkrimin “Kosova e Hashim Thaçit”, në të cilin veriu i Kosovës ishte dalluar me ngjyrë të kuqe. Lëvizja Vetëvendosje akuzon kryeministrin Thaçi se përmes bisedimeve me Serbinë, po krijon autonomi për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Kryeministri Thaçi, ndërkaq, mbajti një konferencë shtypi në mesditë, për shkak të siç tha “pamundësisë së raportimit në Parlamentin e Kosovës”. Ai tha se qëllimi i lëvizjes Vetëvendosje, “ishte që t’iu pamundësohet qytetarëve e vërteta për dialogun me Serbinë dhe tendenca për të krijuar mjegull”. Ai sërish hodhi poshtë çdo mundësi që veriu i Kosovës të ketë ndonjë trajtim të veçantë. Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, vazhdojnë të hënën në Bruksel. VOA
Add new comment