'Na vini ndonjë këngë të paktën' - tallet Dajti me gjykatësit që vazhdojnë të tërhiqen përballë tij

Gjyqtari i Krimeve të Rënda, Gurali Brahimllari, tërhiqet papritur nga padia e ngritur ndaj Dritan Dajtit, - raporton në numrin e sotëm e përditshmja Panorama. Cfarë padie kishte ngritur gjyqtari? Për fyerje - thuhet në artikull dhe shpjegohet se në një nga sallat e Gjykatës për Krimet e Rënda në seancën e datës 2 prill 2012, pas një konflikti me gjykatësit e tij, Dajti u lëshoi këtyre kërcënime dhe fraza fyese. Pas kësaj seance, dy nga gjykatësit u larguan nga gjykimi (nuk janë më pjesë e trupit gjykues ndaj Dajtit) dhe Brahmillari bëri ndërkohë një padi për fyerje ndaj Dajtit. Pikërisht këtë padi, dje e ka tërhequr (madje nuk u paraqit në sallë, dërgoi një letër).
"Në nisje të seancës së djeshme, kryesuesi i gjykimit, gjyqtari Petrit Çomo, relatoi para palëve se nga ana e kallëzuesit Brahimllari ishte depozituar një deklaratë në kryesekretarinë e Gjykatës. Në atë deklaratë pohohej tërheqja e tij nga ankimi kundër Dritan Dajtit, - raporton Panorama dhe më poshtë në artikull, mësojmë se është Dajti ai që ndihet tani i fyer.
Ja ç'shkruhet në artikull: "I pandehuri Dajti dhe avokati i tij, Asaf Hadëraj, i kërkuan gjykatës thirrjen e gjyqtarit Brahimllari në gjyq. “Të thirret kallëzuesi të vijë në gjykatë, ndryshe kemi të bëjmë me një fyerje ndaj nesh”, u shpreh avokati Hadëri. Në të njëjtën linjë vijoi klienti i tij, Dajti, i cili tha se ishte i fyer.. Unë kërkoj që të vijë kallëzuesi, që unë të di se përse tërhiqet”, u shpreh Dajti. Pasi u tërhoq në dhomën e këshillimit, gjyqtari Çomo vendosi pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti për kundërvajtjen penale fyerje e gjyqtarit".
Pas kësaj Dajti, personi që gjykohet për vrasjen e 4 policëve të shtetit, lëshon batuta ndaj gjykatësve të shtetit përballë tij. Raporton Panorama disa detaje nga seanca e djeshme: "Teksa të pranishmit në seancë prisnin ardhjen e trupit gjykues, Dajti tha me zë të lartë: “Na vini ndonjë këngë të paktën”. Edhe gjatë zhvillimit të seancës, Dajti nuk i kurseu batutat kur referoheshin nenet e Kodit që kishin të bënin me tërheqjen nga ankimi. Seanca u mbyll po me batutë.. Pak sekonda pasi gjyqtari Çomo e deklaroi seancën të mbyllur, Dajti tha nga kafazi: “Kjo ishte pafajësia ime e parë”. - (A.N.)
Në foto: Presidenti Nishani (atëkohë ministër i brendshëm) dhe zëvendësat e tij Strazimiri e Poni, gjatë homazheve për oficerët e shtetit Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duckollari dhe Altin Dizdari, për vrasjen e të cilëve po gjykohet Dritan Dajti. (LSA - 08 gusht 2009)
Artikulli i plotë: http://www.panorama.com.al/2012/10/11/fyerja-gjyqtari-heq-do...
Shih edhe: http://www.respublica.al/artikuj/2012/09/13/nje-gjyqtar-i-ke...
Add new comment