Nëse është ligji kriminal, cila është përgjegjësia e Visho Ajazit?

Postuar në 13 Tetor, 2014 07:01

Ish-ministri i Drejtësisë, Viktor Gumi, ka dalë sot te “Panorama” me një intervistë, përmes së cilës ka deklaruar arsyet e nxjerrjes së tij nga skena politike. Siç u mor vesh bëhet fjalë për mosaprovimin në Komisionin e Ligjeve të një neni në ligjin për përgjimet,  që sipas Gumit cenonte privatësinë e qytetarëve. Si mund të lidhet kjo çështje me diskutimin aktual të përgjimeve nga SHISH? Ndoshta edhe lidhet, por në mënyrën si parashtrohet ajo, nuk duket gjëkund ndonjë përgjegjësi e Shërbimit Informativ. Kjo sepse, nëse në fuqi ka një ligj që mundëson përgjimin, atëherë përgjegjësia nuk do kërkuar te organet ekzekutive, por tek ato ligjvënëse. Dhe pjesë e ligjvënies është edhe ish-opozita socialiste. Lidhur me këtë çështje është me interes një reagim i kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Ja se çfarë thotë ai: “Paranoja e Sali Berishës për të përgjuar çdo kundërshtar, e mbështetur në një ligj kriminal kundër lirive dhe të drejtave të njeriut!  Kjo e ish-ministrit në qeverinë “Berisha” dhe ish-deputetit në Komisionin e Ligjeve, Viktor Gumi është:  Dëshmia më e rëndë për procesin kriminal ligjbërës në kuvend në vitin 2012, në rastin e ligjit për përgjimin e komunikimeve telefonike, posaçërisht në aspektin parandalues! E drejta e pakufizuar e 29 institucioneve për të përgjuar gjithkënd e pa asnjë garanci ligjore, vijon të jetë në fuqi dhe kërcënon shumë rëndë të drejtat dhe liritë e çdo shqiptari apo të huaji në këtë vend. Përtej ndjekjes ligjore penale ndaj cilitdo që është përfshirë në krimin e përgjimeve, duhet urgjentisht ndryshimi i ligjit dhe kthimi i tij në standardin evropian që mbron liritë dhe të drejtat e qytetarëve”. Pyetjet që shtrohen me këtë rast janë: Ku ishte opozita kur Berisha me paranojën e tij po ecte në këtë drejtim? Së dyti, nëse është ligji që mundëson përgjimin, në emër të kujt dhe çfarë baze do të kërkohet ndjekje penale për ata që e kanë realizuar duke zbatuar pikërisht ligjin? Dhe së treti: Nëse janë 29 institucione me të drejtë të pakufizuar përgjimi, pse është vetëm SHISH në fokus? Gjithnjë këto pyetje kanë vlerë, nëse prononcimi i z. Braçe në “Facebook” përcjell të vërteta.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.