Në seancën e sotme parlamentare s’ka votim për “tre ligjet e BE”

Nga deklaratat në distancë, kryeministri, Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama kanë bërë me dije për opinionin publik, qëndrimet e tyre, për çështjen e Fierit, e për rrjedhojë dhe për tre ligjet kushte të BE-së. Përkatësisht, kreu i mazhorancës refuzoi publikisht ftesën e Ramës për t’u ulur në tryezë për çështjen e Fierit. Për rrjedhojë, tre ligjet kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat nuk do të mund të marrin votat e duhuara as në seancën e sotme parlamentare.
Refuzimi i Berishës: “Ulem për çdo çështje, por nuk mund të ulem të diskutoj për vendime gjykatash, ato janë ligje në kuptimin e forcës dhe detyrimit të zbatimit të tyre, nuk ulem për to. .. Dy vite rresht kërkove që t'i jepje zgjidhje politike vendimit të gjykatës për kutitë, pas dy vitesh hoqe dorë dhe pranove çfarë t’u ofrua në dy vite. Po përpiqesh t'i shmangesh përgjegjësisë së tmerrshme që merr mbi vete. Lojëra me interesa jetike të qytetarëve mos bëj”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama: “Pushteti kërkon të fajësojë medoemos opozitën si bllokuese të procesit. Refuzimi i tryezës është shprehje e faktit se qeveria kërkon një justifikim për veten dhe jo një zgjidhje për vendin. Nuk mund të votojmë symbyllur për Gjykatën e Lartë. Nuk ngremë kartonin në Parlament, duke pranuar që legjislacioni të mbetet karton dhe integrimi të kthehet në farsë. Për PS-në nuk është në pikëpyetje fakti se do ta drejtojmë ne apo kundërshtari Qarkun e Fierit, por është në pikëpyetje zbatimi i Kushtetutës së Shqipërisë, funksionimi i shtetit të së drejtës, funksionimi dhe respektimi i gjykatave dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë”. Re.Pu.
Add new comment