Në arkivin personal të Enver Hoxhës...

Postuar në 25 Shtator, 2012 11:55

Një gazetare e së përditshmes MAPO ka hyrë në “dhomën” personale të Enver Hoxhës në Arkivin e Shtetit dhe ka sjellë prej aty disa të dhëna (materialet në fjalë janë transferuar aty nga Arkivi ish-Komitetit Qendror të PPSH-së në vitin 1992 dhe gjatë këtyre 20 viteve i kanë vizituar shumë pak njerëz – sipas raportimit). Raportimi ka të dhëna interesante por ndihet gjatë tij një lloj përpjekje (nuk kuptohet pse) e vetë autores për t’u dhënë një si notë zhvlerësimi zbulimeve të saj, të vogla por interesante.
Autorja ka zbuluar në arkiv, shkrimtarët që i kanë dhuruar libra me dedikime Enver Hoxhës, dhe shton menjëherë: “t’i lije një dedikim udhëheqësit ka qenë shumë e zakonshme për një gjeneratë të tërë shkrimtarësh, historianësh, studiuesish e poetësh të rinj...” Lexohet në reportazhin e MAPO-s: “Materiale të etiketuara “personale” janë dhe disa libra me dedikim” – dhe pastaj rendit emrat e atyre që kanë dhuruar të tillë, duke shkruar se janë “emra të njohur të fushave të ndryshme, kompozitorë, dramaturgë, historianë, studiues, shkrimtarë, që nga Kadare, Agolli, Ali Asllani, Nasho Jorgaqi, Petro Marko, Sterio Spasse, Pëllumb Kulla, Dhimitër Shuteriqi, Nonda Bulka, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Kol Jakova..”.
Nga reportazhi mësohen edhe 4 emra falsë që ka mbajtur Enver Hoxha në vitet ’40, mes të cilave edhe një kartë anëtari e Partisë Fashiste që e lejonte të tërhiqte ushqime falas (një prej këtyre dokumentave është në foton shoqëruese). Numëron MAPO: 1.Letërnjoftimi me emrin Luman Seferi është lëshuar nga zyra e gjendjes civile të Tiranës dhe mban datën 15 maj të vitit 1942. Profesioni: tregtar. 2.Letërnjoftimi që mban emrin Selman Çuçi, i lëshuar nga zyra e gjendjes civile Sarandë (porti Edda), lëshuar më 27 korrik të vitit 1942. Profesioni: komisioner 3.Letërnjoftim lëshuar nga Këshilli Turistik Automobilistik i Mbretërisë së Shqipërisë me emrin Hasan Çabej. Profesioni: llogaritar 4.Triskë e anëtarit të Partisë Fashiste me emrin Thanas Pano Josifi, lëshuar nga Federata Fashiste e Tiranës më 1942.

Më shumë:
http://www.mapo.al/2012/09/24/brenda-arkivit-te-enver-hoxhes...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.