Much Nano: midis besnikërisë dhe “tradhëtive”

Postuar në 29 Prill, 2015 11:31

Nuk kam pasur rast ta njoh Muç Nanon, (Much shkruhet në ftesën për spektaklin e fundit-One man show “Dhe profetët dinë… të puthin”) kur në fillim të viteve 80-të, të dy, pavarësisht njeri-tjetrit, ngjisnim e zbrisnim shkallët e korpusit të Universitetit të Tiranës. Ai ndalonte në katin e dytë, ndërsa unë vazhdoja në të tretin. Nuk e njoha as në fillim të dekadës tjetër, vitet 90-të, kur ai nisi të ngjiste shkallë të tjera, në karrierë diplomatike, ndërsa unë vazhdoja të ngjisja dhe zbrisja shkallët që dikur i kishim përshkuar bashkë. Ai kërceu shumë shpejt prej shkallëve të reja, ndoshta i bindur se ishte nisur jo në rrugën e duhur. Unë, si shumica e lexuesve, do ta njihja atë pak vite më vonë, kur me sa duket pasi e kishte ndrydhur aq sa nuk mbante më pasionin për të shkruar, e shpërtheu atë në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe të shpenguar. Njëkohësisht brilante. Duke ndjekur Muç Nanon gazetar, skrupuloz, ekstravagant, befasues dhe demaskues ndaj të keqes shoqërore, sa më shumë që e njihja, aq më shumë bindesha se në publicistikë kishte gjetur vetveten. Por nuk mendonte kështu ai. Pasi tradhëtoi inxhinierin dhe i dha munxët edhe diplomatit, bëri të njëjtën gjë edhe me gazetarin.

2.

Nuk ishte e thënë, pra, që Muçi të ndalte në gazetari. Gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit ai ka shpërthyer si rrallëkush këtej pari, për të përmendur një shprehje të tij, duke befasuar lexuesit me inkursionet serioze në brendësi të kulturës dhe shpirtit të shqiptarëve. “Hinterlandi i Kuq” ishte “tradhëtia” e parë që ai i bëri gazetarisë për llogari të sipërmarrjes së tij të re, asaj të studjuesit. Dyshues se shkelte në një tokë të panjohur, ai e vendosi veten para një sprove që e mendonte më të sigurt: të shkruarit për fëmijërinë dhe vendlindjen. Dhe nuk doli i gabuar. Hinterlandi u bë jo vetëm sprova e tij e parë. Ky libër, i cili pak vite pas botimit të parë u ribotua, përmbante farën e librave të tjerë. Të paktën dy prej tyre, “Unë Jam Gegë” dhe “Pax Albania”, i njohim se e kanë gjetur rrugën për te lexuesi. Nuk dimë ç’nakatoset ende në trurin e Muçit për tu sendërtuar më vonë në libër, por këta të dy mjaftojnë për të damkosur “tradhëtinë” e tij ndaj gazetarisë. Edhe ndaj gazetarisë televizive, në të cilën ai ka bërë disa sprova dhe mund të bëjë edhe të tjera. Me besnikërinë e tij ndaj gazetarisë, Muçi po konkurron atë që arriti (dhe ndoshta do të arrijë akoma) me tradhëtitë e tij ndaj këtij profesioni.

Pak kohë pasi kishte botuar “Unë Jam Gegë”, e ftova Mustafa Nanon për një bisedë-leksion me studentët e sociologjisë. Është pak të them që studentët u pataksën, me kuturisjet teorike dhe analizat krahasuese të Muçit. Mjaft pedagogë, oh sa shumë pedagogë ka tani Shqipëria, është pak të thuhet se stonojnë në ligjërimet e tyre të thata, të vjetëruara, shpesh pa argument ose me argument të huazuara. Muç Nano bën sociologji, antropologji, etnologji apo dreqi e di se çfarë do të bëjë në të ardhmen, duke analizuar ngjarjet jo vetëm nga historia, por edhe e sotmja. Jo vetëm nga realitete të largëta, por edhe nga ato që ndodhin para syve tanë dhe nën hundën tonë. Me dy librat e fundit Muç Nano ka prodhuar më shumë sesa mund të prodhojë nja katedër sociologjie. Me që ra fjala, ku janë vallë katedrat e sociologjisë të universiteteve tona, publike apo jopublike? Ku janë departamentet? Ku janë sociologët? Muçi u bën karshillëk, natyrisht jo me dashje, as me qëllim të keq. Por me librat e tij na mëson se si sociologjia, antropologjia, etnologjia, etnografia e mjaft shkenca të tjera të ngjashme, mund të bëhen të dobishme, jo vetëm duke trajtuar tema instrumentale, por edhe kur mbeten thjesht në lëmin teorik. Me “Unë Jam Gegë” dhe “Pax Albania” Muç Nano ka guxuar të adresojë tema nga më të rëndësishmet e jetës dhe botës shqiptare. Por ka shkuar edhe më tej. U ka rënë kokës temave të koklavitura të botës së sotme, lëmshit të çështjeve të fesë, etnisë, politikës, kulturës, gjuhës. Me një guxim prej Muçi, shkruan dhe argumenton çështje apo të vërteta që mjaft u vijnë rrotull.

4.

Kur të gjithë ne, domethënë lexuesit, po shijonim Muç Nanon sociolog apo antropolog, ai duket se po i tregon vendin edhe studjuesit me tradhëtinë e tij të rradhës. Të premten e kaluar ai u shfaq si një komunikator i madh i temave me të cilat na kishte pataksur me librat e veta. Si një pretencioz i pashoq, Muçi u shfaq në sprovën e tij të parë si show man, me një temë bajagi delikate. Ndeshjen me profetët, jo më në ekran, as në libra, por në skenë, i vetëm, përballë një publiku sa miqësor, aq edhe namusqar, Muçi e kaloi me po aq sukses sa edhe gjithë ndeshjet e tjera në karrierat paralele që ka nisur. Unë nuk dua tu hyj përmbajtjes së pikëpamjeve të tij mbi fenë, Zotin, profetët, Librat e Shenjtë apo edhe ateizmin. Por vlerësoj guximin për të ftuar lexuesit, spektatorët dhe publikun në tema delikate dhe interesante për kohën që jetojmë. Dhe format e diverisfikuara që Nano po përdor për të ushtruar mjeshtëritë e veta. Të premten që kaloi ai nisi një tradhëti të re.

Marre nga Dita

Comments

Submitted by a (not verified) on

Shkodër, zogu i pulës lind me katër këmbë

Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në Shkodër, ku një zog pule ka lindur me katër këmbë. Lajmin e raporton Oranews, e cila shkruan se zogu nuk ka lindur në ndonjë fermë

Submitted by USA (not verified) on

hey doli nga burgu kosta barjaba pas vjedhjes qe beri ne amerike?

sa mire do vije te na sqaroje si vidhet me theks minoritar tashti ketu ne shqiperi. keta te trashet sikur sjellin njeri tjetrin more... sa shume qe ngjajne. te kishin bere prokopi do kishin ndenjur ne fushen per te cilen nisen studimet.

eh vaj medet na cane antropologet e filozofet ...

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.