Mos e lini historinë t'ju përsëritet - thotë Ryerson në një intervistë të mbushur me nëntekste dhe kritika

Dy ish- ambasadorët amerikanë në Shqipëri, William E. Ryerson dhe John L. Withers, II janë kthyer në Shqipëri këto ditë për t’iu bashkuar festimeve për 100 vjetorin. Ryerson ka dhënë në Zërin e Amerikës një intervistë për Shqipërinë, pjesë nga e cila po rendisim më poshtë:
Zëri i Amerikës: Shqipëria kremton këtë vit 100-vjetorin e pavarësisë. Çfarë mendoni për Shqipërinë në këtë përvjetor?
William Ryerson: Kam shumë mendime.. Lexoj për përparime ekonomike që janë bërë. Por edhe që nuk janë bërë, çka është për të ardhur keq.
Zëri i Amerikës: Para pak ditësh, Sekretarja amerikane e Shtetit Clinton ishte në Shqipëri. Ajo tha se korrupsioni është një kërcënim real për pavarësinë e Shqipërisë. Mendoni se Shqipëria mund t’i kapërcejë këto probleme?
William Ryerson: Shpresoj se po. Por varet nga vetë shqiptarët për ta bërë këtë. Këtë nuk do ta bëjë për ta Sekretarja Clinton dhe as ndonjë njeri tjetër. Sekretarja Clinton ka të drejtë; korrupsioni është një rrezik për pavarësinë e Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Shqiptarët kërkojnë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian, aq sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se udhëheqësit e atjeshëm politikë kanë krijuar një kulturë varësie tek të huajt për t’ua zgjidhur ata problemet. A e keni vënë re ju një problem të tillë?
William Ryerson: Gjithnjë ekziston një prirje e tillë në rastet e marrëdhënieve mes një vendi shumë të vogël dhe e partnerëve shumë të fuqishëm. Këtu kemi të bëjmë me një farë shmangie nga përgjegjësia nga ana e shqiptarëve, të cilët duhet ta marrin vetë këtë përgjegjësi.
Zëri i Amerikës: Mendoni se 20 vjet kanë qenë mjaft në historinë plot ulje-ngritje të Shqipërisë, dhe se Shqipëria ka bërë sa duhet përsa i përket demokracisë?
William Ryerson: Ajo ka bërë shumë por do të shpresoja të kishte bërë më shumë. Për shembull greva e fundit e urisë nxori në pah një ndër problemet që ekziston përsa i përket përballjes me të kaluarën...
Zëri i Amerikës: Çfarë mesazhi do të dëshironit t’u përcillni shqiptarëve me këtë rast?
William Ryerson: Në rast se nuk doni që historia të përsëritet, mos e lini të përsëritet. - A.N
Intervista video:
Add new comment