Miroslav Lajcak këshillon Bushatin: Mbani ritmin e reformave të nisura, Shqipëria e meriton statusin

Shqipëria e meriton statusin dhe ritmi i reformave nuk duhet të ndalet. Kjo ka qënë këshilla e Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, Miroslav Lajcak për Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Ata janë takuar në kuadër të konferencës ndërkombëtare për çështjet e sigurisë GLOBSEC 2014, që mbahet aktualisht në Bratislavë.
Një temë e cila u diskutua në këtë takim ishte edhe e ardhmja europiane e Shqipërisë. Shqipëria ndodhet në prag të marrjes së vendimit për statusin e vendit kandidat, në qershor. Lajčák shprehu mbështetjen e Sllovakisë në ketë drejtim duke ofruar njëkohësisht dhe ekspertizën sllovake në fushën e integrimit evropian.
Ministri Lajčák theksoi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat dhe se ritmi i reformave duhet të vijojë për t’i paraprirë fazave të tjera të procesit. “Eksperienca e vendeve të Vishegradit, dhe përkatësisht e Sllovakisë, mbeten frymëzuese dhe orientuese për aspiratat evropiane te Shqipërisë”, u shpreh Ministri Bushati në këtë takim.
Të dy Ministrat u ndalën gjithashtu tek aspektet konkrete të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, duke veçuar këtu rritjen e kapaciteteve të administratës publike, politikat fiskale dhe përthithjen e investimeve të huaja.
S.S
Add new comment