Ministri i Financave: “Nuk e kam ditur që të ardhurat 2009-2013, ishin baraz ose në rënie”. Si u bënë premtimet atëherë?

Shkëlqim Cani, që është ministër i Financave i Republikës së Shqipërisë, ka qenë sot i ftuar në “Top-Story”. Ai ka folur për paketën fiskale për buxhetin e ri dhe objektivat e qeverisë. Duke diskutuar me Ardian Civicin, Cani ka bërë edhe këtë deklarim: “Ju keni qenë në Bankën e Shqipërisë dhe ndoshta i keni parë të dhënat për të ardhurat, por unë personalisht, për shkak të propagandës së qeverisë së shkuar, për katër vitet e fundit të saj, nuk e kam ditur që të ardhurat nga viti në vit, ose ishin baraz, ose shkonin me ulje”. Deklarimi ka rëndësi. Së pari, sepse ai dëshmon sinqeritetin e ministrit, që nuk është pak. Së dyti, në planin politik, ky deklarim na thotë pak a shumë se “edhe ne si opozitë na gënjeu Saliu”. Dhe që këtej, pa ekzagjeruar aspak, as me ndonjë tendencë, mund të nxjerrim përfundimin, se brenda premtimeve të PS-së në fushatë, ka dorë edhe gënjeshtra e z. Berisha. Çfarë do të thotë më tej se ekipi opozitar që sot qeveris, për shumëçka, mundet të mos ia ketë patur idenë se çfarë bëhej. Energjia është një pikë e mundshme në këtë drejtim, nisur nga premtimet e bujshme. Dhe janë premtimet që lëshohen në erë, ballfaquar edhe me këtë që na thotë ministri, që na konfirmon se ajo që thuhet në fushatë, nuk do dëgjuar.
s.z
Add new comment