Ministri grek i Financave, kritikë në transmetim direkt: “Jam një fan i madh i BBC-së, por nuk kam dëgjuar raportim më të pasaktë”

Ministri i ri i Financave të Greqisë, Yanis Varoufakis duket të jetë një nga gjetjet më të goditura të Syrizës. Një profesor me karrierë akademike dhe i njohur në Perëndim, Varoufakis ka publikuar disa libra për krizën e fundit, të cilët janë pritur shumë mirë. Ai u vu në qendër të vëmendjes vetëm dje, gjatë konferencës për shtyp me kreun e Eurogrupit, Jeroen Dissebloem, kur i ka deklaruar ndërprerjen e bisedimeve me këtë përfaqësi; deklaratë që ka sjellë reagimin e këtij të fundit dhe largimin nga konferenca. Mirëpo Varoufakis ka patur një tjetër ballafaqim po dje. Në një lidhje direkte me emisionin “Newsnight” në BBC, Varoufakis e ka cilësuar kronikën e përgatitur për situatën në Greqi dhe marrëdhëniet e saj me Europën, si “një nga raportimet më të pasakta”. “Unë jam një fan i madh i BBC-së, por nuk kam dëgjuar ndonjë raportim kaq të pasaktë. Unë nuk kam deklaruar se nuk duam të bisedojmë. Përkundrazi ne jemi të interesuar shumë që të bisedojmë, që të gjejmë një zgjidhje me sa më pak kosto për të gjithë qytetarët europianë”, tha ai. Varoufakis ka deklaruar se politika e ndjekur deri më tani nuk është zgjidhje dhe se në vend të reformave është bërë deformim. “Ne duam ti thellojmë reformat strukturore. U lodhëm nga premtimet për reforma të cilat nuk kryhen kurrë”, tha ai. Intersant është edhe reagimi në blogun e tij ndaj kësaj interviste. Mes shumë komentuesve, nuk ishin të rrallë ata që vinin në diskutim seriozitetin dhe saktësinë e raportimeve të BBC-së.
http://yanisvaroufakis.eu
s.z
Add new comment