Milazim Krasniqi në një replikë të ashpër me Surroin. “Po zhvlerëson vlerat kombëtare dhe kërkon rehabilitimin e vlerave të jugosllavizmit”

Milazim Krasniqi shkruan sot në “Epoka e Re” një replikë të sertë me Veton Surroin, konkretisht me librin e tij të fundit “Kafshimi i gjarprit”, i cili merret edhe me rolin e Hashim Thaçit në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe shtendërtimit të saj. Krasniqi mendon se Surroi ka dështuar në këtë përpjekje, pasi janë motivet e tij ato që “kontaminojnë” vetë produktin. “Ky pamflet vërtet është një përpjekje inatçore e autorit të tij për një hakmarrje sa më spektakolare”,shkruan Krasniqi. Kjo, pasi sipas tij, Surroi e përkufizon hipotezën e një historie ndryshe të Kosovës, duke parashtruar si premisë një histori ndryshe edhe të Hashim Thaçit. “Kjo histori, historia e Kosovës, ka mundur të dukej ndryshe po të kishte vendosur ashtu si nuk deshi, në pranverë të vitit 1999, Hashim Thaçi të bëhej arsimtar i saj, i historisë, në Malishevë”, i referohet Surroit Krasniqi, duke konkluduar pas disa argumentimeve se ky është një interpretim naiv. Por përballja mes dy intelektualëve të Kosovës ka zbuluar me nota të reja shprehish një fërkim kulturor, ose që është i krijuar nga huazimi prej dy kulturave politike të ndryshme. Krasniqi del qartë në temë kur thotë se: “Dihet se në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë Surroi ka qenë një integrist jugosllav me damkë... Surroi i ka ngarkuar vetes dhe medies së vet edhe një detyrë të madhe: krahas zhvlerësimit të vlerave mirëfilli kombëtare, krahas amnezionit për bëmat e tij e të si shokëve të tij filojugosllavë, të realizojë edhe rehabilitimin e vlerave të jugosllavizmit dhe të komunizmit... Por, kafshimi i fejtonit të tij (në krahasim me kafshimin e Suarezit) është më helmues”. Çka kumbon këtu në formën e një dueli polemik, është një paradhënie, por edhe zgjatim, i debatit më të fundit në Parlamentin e Kosovës për statusin e veteranit. Kontestimi i luftës çilirimtare, ose më saktë i mbiheroizimit të saj, që mandej shërbën si pedan për spekullimin politik është pika qendrore e një kundërvënieje që zgjidh ekuilibrin e brendshëm të trashëguar nga Jugosllavia. Shqiptarët e Shqipërisë mund ta kuptojnë mirë këtë lloj debati pasi këto 23 vjet ky ka qenë edhe thelbi i tij: si të rishkruhet një kod i brendshëm bashkëjetese dhe hierarkie, ndërkohë që historia e figurave publike dhe vetë institucioneve, duam apo nuk duam ka të inçizuar një pjesë nga shtrati i komunizmit?
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=5&LID=2&ACatID=4&AID=44442&Ct...
s.z
Add new comment