Meta: Asnjë forcë politike të mos pengojë integrimin

Integrimi evropian është një qëllim kombëtare dhe asnjë forcë politike nuk duhet të bëhet pengesë për të arritur këtë qëllim. Kështu është shprehur Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në konferencën “Për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së”. Ai ka theksuar se duhet bërë e kundërta, të gjithë të kontribuojnë për përshpejtimin e këtij procesi. Sipas Metës anëtarësimi në BE nuk është një qëllim në vetvete, por një instrument për të sjellë më shumë prosperitet e mundësi të reja për mirëqenien e qytetarëve.
“Nisur nga këto aspirata prej kohësh ne e kemi vendosur anëtarësimin në BE si një prioritet strategjik kombëtar, ku një ndër kriteret kryesore është përafrimi i legjislacionit, i cili ka rezultuar si një sfidë mjaft e rëndësishme për Kuvendin”, tha Meta.
Ai e ka konsideruar ‘thelbësor’ rolin e parlamentit në harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, kryeparlamentari veçoi kontributin e komisionit parlamentar të integrimit në forcimin e rolit kontrollues ndaj qeverisë.
“Prej disa vitesh kryesimin në këtë komision e ka opozita parlamentare dhe ky është një standard i domosdoshëm dhe një zgjidhje e mirë. Kuvendi e ka forcuar rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë duke monitoruar me efikasitet zbatimin e detyrimeve të MSA-së, përmes instrumenteve të kontrollit parlamentar. Po ashtu, parlamenti ka forcuar në veçanti rolin e tij në procesin e verifikimit të përputhmërisë së projektligjeve me ato të BE-së”, theksoi Kryetari i Kuvendit Meta. S.S
Add new comment