Merkeli e butë dhe Merkeli e fortë, në këndvështrimin e Economist. Dhe Merkeli “godmother” sipas anëtarëve të partisë vet

Në një speciale për zgjedhjet e pritshme në Gjermani, Economist i bën një portret Angela Merkelit, që e shoqëron me foton më sipër që është mjaft provokuese dhe prej titullit: “Një grua për t’i sunduar të gjithë”.
Interesante është se Economist e nxjerr Merkelin me dy pamje, më saktë perceptime të saj, jashtë dhe brenda Gjermanisë. Njëra, ajo që i njohin jashtë Gjermanisë është imazhi i një gruaje të fortë që grekët e krahasojnë deri dhe me Hitlerin dhe që i detyroi vendet e krizës të shtrëngojnë rripat – austerity – shkurtime drastike të shpenzimeve.
Brenda Gjermanisë ajo konsiderohet si një “mami”, një grua që kujdeset për gjermanët dhe që i gatuan supë patatesh të shoqit. Madje, në ambiente private e tregojnë plot humor. Jo agresive, madje, akuzohet edhe për mungesë qendrimesh të forta (konkurenti i saj Peer Steinbrück e akuzon se “ajo nuk ngre gishtin për të na treguar rrugën, por ngre gishtin për të parë a fryn erë”). Madje, kundërshtarët e akuzojnë se merr idetë e partive të tjera, dhe i aplikon me pak ndryshime. “Merkelvellianism” e quan revista modelin e Merkelit, e cila me lëvizje të vogla, dinake, e ka lëvizur majtas CDU-në (parti e qendrës, e djathtë), due tërhequr një politikë pas tjetrës nga rivalët e saj të qendrës së majtë.
Një libër nga një këshilltar veteran i CDU-së e quan atë “godmother” e Gjermanisë—por jo në sensin e “gjyshes” por të mafiozes—një person pa vlera që tradhëton ato bazë të CDU-së sa herë i nevojitet.
Por, gjermanët e dinë se me të kanë pasur mirëqenie ekonomike që i detyrohet pak fatit e pak politikave të mëparshme të Schroeder-it. Gjasat janë që ajo të ri-zgjidhet.
k.c.
(në foto, Merkel para disa vitesh me ish kancelarin Kohl)
Add new comment