Media italiane analizon tendencën e servirjes së imazheve filmike “ekskluzive” nga qeveria. “La Stampa”: Një telekamera “hije” shoqëron Renzin!

Kohët e fundit, mediet italiane po “përballen” gjithnjë e më shumë me tendencën e qeverisë për ofrimin e imazheve filmike të parapërgatitura. E përditshmja italiane “La Stampa” evidenton se prej muajsh, ka një kamera “hije” që në heshtje shoqëron kryeministrin italian Matteo Renzi dhe që shërben për kapjen e imazheve nga vende ku kamerat e televizioneve të tjera nuk filmojnë. Më pas, pamjet kurohen dhe u jepen për transmetim televizioneve (praktikë që në Shqipëri ndiqet prej vitesh).
Një prej këtyre rasteve, ku nuk është lejuar filmimi i kamerave të televizioneve private, është ai i takimit të Renzit me kancelaren gjermane Angela Merkel ku pamjet e takimit u servirën të montuara. Nga ana tjetër, edhe këshilltari për mediat i kryeministrit italian publikon foto të ndryshme ku kryeministri apo ministra të veçantë janë në momente pune. Këto risi të stinës “renziane”, sipas “La Stampa-s”, përtej tundimit për të censuruar , sinjalizojnë një qëllim të kryeministrit për t’i dhënë një përshtypje të fortë lajmit përmes imazheve ekskluzive që janë njëkohësisht edhe imazhe "zyrtare".
n.k
Add new comment