Mbijetuesi... 4 arsyet pse Assad është ende në pushtet sipas Foreign Policy

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka deklaruar: “Për hir të popullit sirian, ka ardhur koha që presidenti Assad të largohet”. Kjo ka qenë thirrja e parë eksplicite për udhëheqësin sirian që të japë dorëheqje, por sot, 452 ditë më vonë, Bashar al-Assad mbetet në pushtet.
Kështu nis shkrimin revista amerikane "Foreign Policy", e cila kujton edhe deklaratën e javës së kaluar të Assadit për mediat ruse: “Jam sirian, jam krijuar në Siri. Duhet të jetoj në Siri dhe të vdes në Siri”. Ndryshe nga vendet e tjera arabe, ku autokratët kanë rënë nga kryengritjet e qytetarëve, regjimi i Assadit nuk tregon shenja se do të vyshket shpejt. Interesat konkurruese të lojtarëve rajonalë dhe ndërkombëtarë kanë penguar ndërhyrjen e huaj ushtarake. Sipas revistës, katër janë arsyet pse Assad është ende në pushtet
E para, sipas revistës, është fakti se regjimi i Assadit nuk është plasaritur. Dezertimi i kryeministrit Riad Hijab, apo vrasja e ministrit të mbrojtjes në korrik nuk kanë paraqitur kërcënime serioze për regjimin.
Si arsye të dytë, revista përmend ushtrinë siriane. Personeli aktiv numëron 295,000 ushtarë, ndërsa rezervat përfshijnë 314,000 trupa shtesë.Shumë nga të larguarit ushtarakë, kur u është dhënë mundësia, janë larguar për në shtëpi, por nuk u janë bashkuar rebelëve.
Komuniteti alavit mbetet armiqësor ndaj kryengritjes dhe kjo është arsyeja e tretë e fuqisë së Assadit, shkruan "Foreign Policy". Alavitët janë pakicë fetare, së cilës i përket edhe vetë presidenti.
Ndarjet brenda opozitës siriane janë arsyeja e katërt për fuqinë e regjimit, shkruan revista. Ka një vakum politik dhe një vakum organizativ në çdo nivel të opozitës siriane. Rrjedhat e ndryshme të financave, të cilat kanë qenë në dispozicion për opozitën, kanë përkeqësuar edhe më shumë këtë problem.
Në anën tjetër, militarizimi i konfliktit ka mënjanuar aktivistët dhe grupet civile. Për më tepër, grupet xhihadiste, në veçanti, kanë injektuar agjendën e tyre në konflikt dhe kanë potencial të bëhen lojtarë të mëdhenj në Sirinë e ardhshme. Në luftëra, ashtu si edhe në evolucion, të fortit mbijetojnë dhe këto grupe, për fat të keq, janë të forta, - shkruan "Foreign Policy". - A.N.
Add new comment