Mazhoranca rrëzon 5 dekretet e kthyera për shqyrtim nga Presidenti Nishani

Ne Seancën e parë të punimeve të Kuvendit, në sesionin e tretë të Legjislaturës së VIII, mazhoranca qeverisëse me forcën e kartonit ka rrëzuar të 5 dekretet e kthyera për shqyrtim nga Presidenti Nishani. Ndërkaq PDIU, sikundër i pati dhënë bekimin për miratim reformës territoriale ka bashkuar votat me shumicën qeverisëse për rrëzimin e dekretit. Relatori i ligjit për gjykatën administrative, Armando Subashi, deklaroi se argumentet e Presidentit për kthimin e këtij dekreti janë të njëjta me të PD dhe nuk qëndrojnë. Sipas tij, dekreti i Presidentit nuk ka asnjë bazë si nga pikëpamja ligjore ashtu dhe kushtetues. Deputetja socialiste Ermonela Felaj, hodhi poshtë pretendimet e presidentit Nishani në lidhje me kthimin e ligjit për Shkollën e Magjistraturës. Sipas saj nuk kemi të bëjmë me shkelje të kompetencave të kreut të Shtetit, pasi të gjitha ndryshimet bazohen në kërkesat e raport progresit të Komisionit Europian. Rrëzimin e këtyre dekreteve e vulosi edhe kryeministri Rama në fjalën e tij, ku tha se 3 prej këtyre nuk janë thjesht dekrete, por prioritete kombëtare. Me 77 vota deputetët e mazhorancës rrëzuan dekretin që kthen ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”; me 81 vota u rrëzua dekreti që ktheu ligjin “Për reformën territoriale”; me 79 vota u rrëzua dekreti që kthen për rishqyrtim ligjin “Për Policinë e Shtetit”; dekreti që kthen ligjin “Për organizimin e Gjykatave Administrative” u rrëzua me 73 vota, ndersa me 78 vota pro u rrëzua edhe dekreti që kthen ligjin “Për funksionimin e KLD-së”.
L.V

Add new comment