Mapo lëshon apelin: Shpëtoni Presidentin Nishani

‘Shpëtoni Presidentin Nishani’ – ky ishte titulli i madh në faqe të parë të gazetës Mapo, dhe shkrimi në faqet e brendshme, që ish nënshkruar nga Aleksanda Bogdani, bazohej mbi analizën e bërë nga Afrim Krasniqi e Artan Hoxha. Gazeta kish dhe një editorial në mbështetje te mesazhit që jep ky titull, dhe editoriali ish shkruar nga Alfred Lela. Po më poshtë keni të plotë shkrimin e Bogdanit:
Nga Aleksandra Bogdani
Konsensualë apo partiakë, presidentët e Shqipërisë i bashkon historia e njëjtë në marrëdhëniet me ekzekutivin. Pavarësisht se si janë ngjitur në zyrën e kreut të shtetit, ata kanë dalë që andej në armiqësi të fortë me njërin krah të politikës. Bujar Nishani e nisi mandatin e tij i papranuar nga gjysma që sot është mazhorancë, e në këto kushte, Presidencës së tij i mbetet pak hapësirë për të papritura. Pesë muaj pas ngjitjes së Ramës në pushtet, marrëdhëniet me Presidencën janë futur zyrtarisht në stinën e tensionit. Paradoksalisht, Nishani duket sot më i fortë dhe më President se ditën kur u zgjodh me 71 votat e mazhorancës së Berishës. I etiketuari gjerësisht prej të majtëve si noter i ish-kryeministrit dhe Presidenca vetë, përbëjnë “by law”vijën e kuqe mes mazhorancës së fortë në numra dhe institucioneve të pavarura. Presidenti dominon Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe gjyqësorin, ka në dorë fatin e kreut të SHISH dhe Prokurorit të Përgjithshëm, dekreton ambasadorë dhe është një aktor i dorës së parë në reformat e këtyre fushave. Sinjalet e para të përplasjes me mazhorancën tregojnë se koha e dafinave për Nishanin ka marrë fund njëherë e mirë me rotacionin politik. Rrugëtimi i pashmangshëm me të majtët në pushtet do të vërë më së pari në provë Bujar Nishanin si President, por edhe sjelljen e mazhorancës aktuale ndaj tij dhe institucioneve të pavarura.
Tinguj lufte mbi Presidencë
Ditët e fundit të shkurtit, kryeministri Rama trokiti në zyrën e Presidentit për disa çështje që kanë mbetur pezull. Më shumë sesa takimi, koha e konsumuar që i kalonte të dy orët tregoi më së pari se ai po bën rezistencë. Dekretet për gjyqtarët ishin arsyeja kryesore e këtij takimi e më pas edhe ambasadorët e propozuar nga qeveria. Dy ditë më vonë, burime nga Presidenca bënë me dije se nuk do “të zhdoganohen” dy kandidatët e qeverisë për ambasadorë në Vatikan dhe Arabinë Saudite. Që bisedimet mes Ramës dhe Nishanit kanë dështuar, e tregoi hapur edhe pakënaqësia e Ruçit, pas të ashtuquajturave konsultime për emrat e Gjykatës së Lartë. “Do të thosha se ky konsultim nuk është produktiv”,-tha kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, duke lënë të kuptohej se me thirrjen e palëve, presidenti thjesht sa kishte kaluar radhën. Por kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka mori në mbrojtje kreun e Shtetit, duke e cilësuar ankesën e Ruçit, vijim të luftës së ashpër që mazhoranca i ka shpallur Nishanit. Vetë Presidenti e përcjell me gjuhën e drunjtë protokollare këtë lojë force, që palët bëjnë rreth tij. “Nëse do të mendoja se duhet të emëroj si gjyqtarë ata që dëshirojnë z. Rama, z. Meta apo z. Basha, do t’i bëja dëm të madh integritetit institucional dhe vendit”,- tha pak ditë më parë në një intervistë Nishani. Por mazhoranca e sotme lexon nën tagrin e Presidentit, ndikimin që vjen prej Berishës e kjo e komplikon edhe më tej raportin mes palëve. Në një intervistë të vetën, i hidhur si gjithnjë me Nishanin, avokati Spartak Ngjela dha një optikë të tijën mbi këtë konflikt. “Problemi është që nuk ka një konflikt mes mazhorancës dhe presidentit për mendimin tim. Për të qenë objektiv, ka luftë personalitetesh. Ka goditje personalitetesh. Mazhoranca e shikon që nuk ka personalitet dhe nuk arrin dot që ta konceptojë nëse pengesat që i sjell Presidenti janë pikëpamje e një statisti, apo është vegla e atyre që e kanë vendosur. Kjo nuk kuptohet”, – tha ai, duke e gjetur thelbin e problemit tek zgjedhja pa konsensus e një figure me personalitet të munguar politik si Nishani.
Tensioni Rama-Nishani
Marrëdhëniet mes qeverisë dhe Presidencës nuk mund të shihen ndarazi nga bindja e Ramës, se Nishani është dhe mbetet vartësi i Berishës në zyrë. Në fjalimin e tij të parë pas fitores, Rama ofroi bashkëpunim, ndërsa i bëri thirrje Nishanit të bëhej garant i Kushtetutës dhe jo noter i palës që ka humbur zgjedhjet. Megjithatë, buzëqeshjet në pritje zyrtare dhe raporti i “luftës së ftohtë” nuk do të vazhdonte gjatë. Kryeministri e nisi sprintin me kryetaren e ILDKP-së, ndërsa Presidenti u kundërpërgjigj me një padi në Kushtetuese për kompetenca të uzurpuara nga Kuvendi. Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë i ka duart e lidhura përballë një KLD-je që rrëzon nismat e tij, ndërsa në Gjykatën Kushtetuese, raportet e numrave janë gjithashtu në disfavor të qeverisë. Në këto kushte ngre krye tensioni që po shpërthen hapur mes mazhorancës dhe Presidentit, e që prej PD-së cilësohet një sulm politik ndaj Nishanit. Mazhoranca e majtë dhe Presidenti i djathtë janë të detyruar të bashkëjetojnë gjatë me njëri-tjetrin, por cilën palë ndihmon konflikti? Analisti Afrim Krasniqi thotë se praktika e konfliktit nuk ndihmon asnjërën. “Nuk jemi në përvojat e mëparshme kur ekzekutivi sulmonte presidentin dhe ky i fundit sillej në mënyrë të qartë dhe të prerë institucionale, por jemi në një situatë të re, ku secila palë preferon më shumë sulmin politik sesa sjelljen institucionale”,-thotë ai, duke analizuar tensionin e deritanishëm mazhorancë-Presidencë. Ndërsa për Artan Hoxhën, tensioni është në fakt një lajm i mirë. “Në kushtet e supermazhorancës, rënia e tensionit mes saj dhe Presidentit, në mos qoftë tërheqjeje e mazhorancës, do të thotë që Presidenti është dorëzuar e ky do ishte lajm i keq. Përkundrazi, ekzistenca e tensionit tregon se Presidenti po reziston dhe ky është lajm i mirë”,-pohon ai. Peshorja kalendet ende diku në mes, rreth pyetjes nëse ekzekutivi po tenton të nënshtrojë Presidentin apo ky i fundit po bëhet pengesë i nevojës për ndryshim.
Gjyqësori, SHISH-i; beteja vazhdon
E ndërsa qeveria është ende në fazën e nxehjes, e tillë është deri më tash edhe prova e forcës me Presidentin e Republikës. Sfidat më të mëdha të këtij raporti të gjykuar që në krye të herës janë ende përpara. Reforma në gjyqësor, e veçanërisht në KLD është një prej premtimeve që ka sjellë të majtën në pushtet. Por Presidenti duket i vendosur për të udhëhequr betejën e pavarësisë së gjyqësorit. Ai i ka dalë zot publikisht këtij sistemi, përballë deklaratave të ministrit të Drejtësisë dhe eksponentëve të mazhorancës se gjyqësori është i zhytur në korrupsion. Me gjasë një betejë e gjatë, kjo e reformës në drejtësi konsiderohet një test për suksesin e mazhorancës dhe përparimin e vendit drejt Bashkimit Europian. I ftuar në Top-Story dy net më parë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi vullnet më të madh për bashkëpunim nga Nishani. “Problemet janë shumë të mëdha dhe cilido që mendon se mund të vazhdojë edhe kështu në emër të gjoja ruajtjes së pavarësisë, vetëm po dëmton jo vetëm të ardhmen europiane të vendit, por njëkohësisht po dëmton edhe besimin e qytetarëve te drejtësia, te ligji, si dhe te njerëzit e drejtësisë”,-tha ai. E njëjta situatë paraqitet edhe me Shërbimin Informativ Shtetëror. Tashmë, mazhoranca ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj Visho Ajazit, por Presidenti Nishani ka shprehur mbështetje pa rezerva për të. “Kjo agjenci nën drejtimin e Kryetarit dhe me punën e të gjithë stafit të saj, ka dëshmuar angazhim serioz e ka pasur rezultate të kënaqshme në kryerjen e detyrës. Si Kryetar i Shtetit, e mbështes këtë agjenci”,-tha ai pak kohë më parë. Në këtë “lojë luftash” mes palëve e klimës së polarizuar, fitorja duket se nuk i buzëqesh asnjërës. Ndaj edhe është e vështirë të ndash si me thikë se cili është opsioni më i keq: mbetja në vend e situatës apo pavarësia e institucioneve. “E keqja më e madhe do të ishte uzurpimi i institucioneve të pavarura nga kjo supermazhorancë; e keqja më e vogël do të ishte që këto institucione të mbeten siç janë-përgjigjet Artan Hoxha, i detyruar të zgjedhë mes dy të këqijave. Sepse nuk ka asnjë dyshim se e mira do të qe që këto institucione të ishin realisht të pavarura nga politika. Sipas Hoxhës, është koha e shmangies së të keqes më të madhe dhe Presidenti po e luan këtë rol me ligjshmëri. Një zgjidhje tjetër afatgjatë do të ishte reflektimi ndaj kësaj bashkëjetese të pafat. “Presidenti duhet të kuptojë se mazhoranca ka një mandat për reforma dhe ai duhet të jetë mbështetës i reformave, siç mazhoranca duhet të kuptojë se nuk është votuar për të ndryshuar institucionet kushtetuese, por për të zbatuar politika ekzekutive dhe administrative. Pra, dy palët duhet të reflektojnë dhe nëse ka ankesa, ka mekanizma sesi zgjidhen”,-përgjigjet Afrim Krasniqi për MAPO-n. Në të vërtetë, beteja e saponisur është një episod i ri në historinë e vjetër të marrëdhënieve mes dy institucioneve, po aq sa një zgjatim i luftës mes mazhorancës dhe opozitës. E në këtë drejtim, të gjitha palët në lojë nuk i kanë shpëtuar fault-it. “Presidenti gabon kur i delegon këshilltarët e tij në aktivitete partiake; mazhoranca gabon kur sillet me gjuhë rruge ose denigruese ndaj Presidentit, sepse faturën elektorale të konfliktit në fakt e paguan ajo dhe së fundi, opozita gabon që tenton ta identifikojë presidentin me veten”,- përfundon Afrim Krasniqi.
Comments
Shpetoni kapterin Nishani SOS
Shpetoni kapterin Nishani SOS
Add new comment