Manjati i ushqimit Poroshenko fiton zgjedhjet presidenciale në Ukrainë

Me një shumicë absolute, Petr Poroshenko, manjati i industrisë ushqimore i njohur edhe si Mbreti i Çokollatës, fitoi zgjedhjet presidenciale të Ukrainës siç nxjerrin rezultatet paraprake exit polls, duke shmangur nevojën për një raund balotazhi që mund të destabilizonte vendin. Dy sondazhe i dhanë Poroshenkos mes 56 dhe 57 për qind të të gjitha votave, shumë përpara ish-kryeministres Julia Timoshenko, e cila mori pak më shumë se 12 për qind. Ukrainasit, të shqetësuar nga gjashtë muaj trazira politike, shpresojnë se presidenti i ri do të jetë në gjendje të kthejë nga humnera e falimentit kombin me 45 milionë banorë, si dhe të shmangë shpërbërjen dhe luftën e mundshme civile.
Votuesit dje morën pjesë masivisht në zgjedhje, të cilat u konsideruan si një referendum i dytë për pavarësinë e vendit. Por mungesa e 15 për qind të votave në dy krahinat lindore mund t’i japë Moskës një justifikim për të ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e fituesit dhe për të vijuar të ushtrojë presion mbi Presidentin e ri në Kiev. Poroshenko nuk është një fytyrë e re në politikën e Ukrainës, pasi ka shërbyer në një qeveri në kohën e Janukoviç, si dhe nën qeverinë e fundit të udhëhequr nga armiqtë e Janukoviç. Kjo eksperiencë i ka dhënë atij reputacionin e pragmatistit të aftë për të ngushtuar hendekun mes mbështetësve të Moskës dhe nacionalistëve ukrainas.
a.k
Add new comment