Manipuluan zgjedhjet, arrestohen dy komisionerë të Dajçit

Dy komisionerë të qendrës së votimit në fshatin Dragushë, Komuna Dajç në Lezhë janë arrestuar sot pasi duhet të kryejnë dënimin me 8 muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe deformimit të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011.
Në prangat e policisë së Lezhës janë arrestuar Gentian Kovaçi, 30 vjeç, dhe Lulzim Paloka, 27 vjeç.
Ata u shpallën fajtor për falsifikim të nënshkrimit të votuesve dhe numrat e kartave të identitetit e pasaportave, për persona të cilët ditën e zgjedhjeve nuk ndodheshin në Shqipëri, raporton “OraNews”.
Më 8 maj 2011, në Komunën Dajç, garonin dy kandidatë për kryetar komune, Rrok Rroku i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” dhe Gjergj Doçi i koalicionit të majtë “Aleanca për Qytetarin”.
Në përfundim të zgjedhjeve është vendosur shpallja si fitues e Gjergj Doçit të “Aleancës për Qytetarin”.
Nga ana e Rrok Rrokut u paraqit një kallëzim penal, sipas të cilit, në qendrën e votimit të fshatit Dragushë kanë votuar 264 votues nga 300 votues.
Nga verifikimet që kishte bërë vetë kandidati Rrok Rroku, rezultonte se një numër më i madh personash, rreth 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë) ishin emigrantë dhe nuk ndodheshin në Shqipëri më 8 maj 2011, por rezultonin se kishin votuar.
Në bazë të një akti ekspertimi rezultoi se në listën përfundimtare të zgjedhësve, 109 nënshkrime janë bërë nga i njëjti person. Gjithsej u dënuan 8 komisionerë.
Add new comment