Lufta e Kosovës, 15 vjet më pas: Dyshime se ushtria serbe ka rrëmbyer edhe fëmijë shqiptarë

Në bazë të ankesave nga ana e familjarëve, drejtuar Komisionit për Persona të Zhdukur në Kosovë, rezulton se gjatë luftës së fundit ushtria serbe gjatë kohës së luftës ka rrëmbyer fëmijë shqiptarë duke i dërguar në Serbi për adoptim në familjet serbe. Në total rezultojnë të zhdukur mbi 1 mijë e 700 persona, një e dhënë zyrtare e pranuar nga pala kosovare, dhe nga ajo serbe gjithashtu. Prenkë Gjetaj, nga komisioni në fjalë, ka thënë se një gjë e tillë nuk përjashtohet të ketë ndodhur, edhe pse nuk posedojnë shifra zyrtare. Ai ka treguar një rast konkret të një familjeje nga Fushë Kosova, e cila pretendon se fëmijën e tyre të zhdukur gjatë luftës, e kanë parë në një televizion serb në një sekuencë të shkurtër.
“Ka qenë një rast nga Fushë Kosova, ku xhaxhai i fëmijës së zhdukur beson se djali i vëllait të tij, është parë në një sekuencë filmike të shkurtër në televizionin serb B92. Dhe tani ai beson se djali i tyre është gjallë dhe i adoptuar nga një familje serbe. Bëhet fjalë për rastin e Lozhanit, ku në autobusin e ushtrisë serbe kishin futur civilët shqiptarë nga Fushë Kosova, të cilin e kishte goditur pjesërisht një predhë e aeroplanit të NATO-s”, është shprehur Gjetaj.
a.k
Add new comment